Dita Evropiane e numrit emergjent 112 është një ditë që shënohet çdo vit më 11 shkurt. Kjo ditë u prezantua nga Bashkimi Evropian dhe synon të promovojë ekzistencën dhe përdorimin e duhur të numrit të urgjencës 112 në mbarë Evropën.
Parlamenti Evropian, Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian nënshkruan një konventë trepalëshe në vitin 2009 me të cilën u vendos që 11 shkurti të njihet si dita e numrit emergjent 112.
Arsyeja pse u zgjodh kjo datë është pasi data përfshin numrin e telefonit (11/2).
Sikurse në çdo vend të Evropës edhe Kosova përmes Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME) shënon këtë ditë të numrit emergjent 112.
Ishte viti 2001 kur Kosova për herë të parë përmes një pilot projekti filloi me implementimin e numrit unik emergjent evropian 112 në regjionin e Prizrenit duke u shtrirë më vonë në tërë territorin e Kosovës.
Ky numër funksionon 24/7 pa pagesë dhe i shërben të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për ofrimin e ndihmës në rastet e emergjencave të ndryshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.
AME në këtë ditë të shënuar falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunimin e tyre dhe informatave që ata japin në raste të emergjencave përmes numrit 112.
Agjencia falënderon edhe të gjithë reaguesit si : njësitë e zjarrëfikjes dhe shpëtimit, policinë, shërbimet emergjente mjekësore etj si dhe në mënyrë të veçantë të gjithë operatorët e AME-së që trajtojnë këto telefonata 24 / 7, thuhet në komunikatën e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME). /2LONLINE/