Zëvendësdrejtori i Policisë së Republikës së Kosovës z. Fehmi Hoti dhe ambasadori britanik në Kosovë z. Jonathan Hargreaves, në kuadër të partneritetit dhe bashkëpunimit, nënshkruan marrëveshje mbi pranim-dorëzimin e një donacioni mjaft të rëndësishëm për Policinë e Kosovës.
Kjo marrëveshje ka të bëjë me dhurimin e katër dronëve, të cilët do të ndihmojnë njësitet policore në raste të ndryshme, si në identifikimin, gjurmimin, monitorimin dhe përcaktimin e vendndodhjes së automjeteve dhe personave të dyshimtë. Duke përdorur imazhërinë/rezolucionin e lartë dhe aftësitë termale të këtyre pajisjeve, mund të ndihmojnë njësitet policore në marrje të vendimeve të bazuara në informacion, fotografi, xhirime dhe imazhe/prova.
Pajisjet e specializuara do të luajnë një rol jetësor në Polici të Kosovës, do të rrisin dhe do të profesionalizojnë edhe më tej punën e Policisë së Kosovës, në veçanti të njësiteve kufitare të cilat kujdesen për parandalim të krimit transkufitar, kontrabandës dhe migrimit të paligjshëm.
Policia e Republikës së Kosovës falënderon Ambasadën Britanike në Kosovë për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, e cila këtë donacion do ta vërë në funksion të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, patrullimit kufitar, si dhe shërbimit sa më efikas e cilësor ndaj qytetarëve dhe vendit, njofton Policia. /2LONLINE/