Në Prishtinë, Partia Alternativa organizoi për herë të parë Gala Mbrëmje për festën e 11 Vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe për fillimin e një praktike të re të ngritjes së fondeve dhe partneritetit me bizneset.
Këtë e bëri të ditur Fikri Mehmeti, pjesë e kësaj partie, sipas të cilit, bizneset pjesëmarrëse dhe të pranishmit tjerë, patën rastin të dëgjojnë prezantimin e programit të Alternativës si dhe të shohin prezantimet e katër Start Up bizneseve të reja, të cilët prezantuan produktet dhe shërbimet e tyre para pjesëmarrësve të mbrëmjes.
Pas prezantimeve, Alternativa iu ndau 10% të hyrave të mbledhura nga shitjet e tavolinave katër bizneseve të reja dhe të pestës alpinistes, Uta Ibrahimi e cila është duke synuar ngjitjet e 14 majave më të larta të Botës.
“Alternativa, falënderon të gjithë pjesëmarrësit e mbrëmjes, ata që na besuan dhe ata që na vlerësuan dhe erdhën në mbrëmje. Gjithashtu, falënderim i veçantë kompanive që na ndihmuan në realizimin e idesë tonë dhe e bënë mbrëmjen spektakël të veçantë. Këtë mbrëmje e filluam në Prishtinë, shihemi së shpejti në komunat tjera, me ide dhe prezantime të reja”thuhet në komunikatë.