Sot, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë, i nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, z.Albin Kurti, dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, z.Glauk Konjufca, takuan ambasadorin amerikan z.Greg Delawie.
Në këtë takim u vlerësua mbarëvajtja e zgjedhjeve të 11 qershorit, u diskutua procesi i formimit të institucioneve të legjislaturës së gjashtë si dhe sfidat e punët që e presin qeverinë e ardhshme dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi. U trajtuan shumë tema si ajo e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe investimeve të diasporës, marrëdhënies së Kosovës me Serbinë etj.
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje përsëritën gatishmërinë dhe interesimin e tyre për zgjerim të partneritetit dhe thellim të aleancës së Republikës së Kosovës me ShBA-të, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.