Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gjilani”mori pjesë në “Festivalin Mbarëkombëtar – “Flakadani i Karadakut” – Viti 2017 dhe u shpërblye me vendin e -II-, në mesin e shumë Ansambleve dhe grupeve nga mbarë trevat shqiptare. Flakadani… u mbajt për të 16-tën herë me radhë në qytetin e Vitisë, në nderim të dëshmorit të kombit Nijazi Azemi.
Kryetari i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Gjilani”, Nehat Ferati tha se morën pjesë në këtë Festival, duke u munduar që ta pasurojnë gjithmonë këtë ngjarje kulturore me programet e tyre krahas shumë Ansambleve dhe grupeve tjera nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Diaspora.
Ferati tha se Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gjilani” në këtë Festival u paraqit me këngë, valle koreografike dhe valle burimore tradicionale, të përgatitura nga këshilli artistik i Ansamblit.
“Edhe pse me vështirësi të jashtëzakonshme në kushte jo të mira për punë, Ansambli “Gjilani” po arrin që në të gjitha Festivalet dhe organizimet kulturore ta përfaqësojë Gjilanin dhe ne përgjithësi Anamoravën shkëlqyeshëm, duke u shpërblyer në mënyrë meritore nga juritë profesionale, gjithmonë duke ju falënderuar pjesëmarrësve qe mundohen dhe japin kontribut të pashembullt që të ruhen më shumë xhelozi vlerat kulturore shqiptare”, ka thënë Ferati.
Sipas tij, këto organizime nderojnë dëshmoret tanë dhe janë shumë të qëlluara dhe të domosdoshme për kultivimin e vlerave artistike kombëtare, njohjen dhe lidhjen sa më shumë të rinjve të mbarë trevave shqiptare.
“Një falënderim i veçantë shkon për organizatorin ne këtë rast K.K te Vitisë, Drejtorinë për Kulture Rini dhe Sport te kësaj Komune, që po bënë një punë të jashtëzakonshme për mbarëvajtjen e këtij Festivali’, ka thënë Ferati.