Në Kamenicë, Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut, në kuadër të DAP-it, në bashkëpunim me OJQ “Llulludi”, sektorin e sportit pranë DKRS-së dhe me mbështetjen e OSBE-së, organizoi një aktivitet sportiv në volejboll, me pjesëmarrjen e nxënësve shqiptarë dhe rom të shkollave të mesme të komunës sonë.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të promovonte shembullin e mirë të Kamenicës në gjithpërfshirjen e komuniteteve në jetën shoqërore, sportive dhe kulturore, duke demonstruar angazhimin për përfshirjen e komuniteteve të ndryshme. Ky aktivitet synonte gjithashtu të forconte bashkëpunimin ndërmjet nxënësve të përkatësive të ndryshme etnike, për të ndërtuar ura të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës.
Aktiviteti u realizua në kuadër të Planit të Veprimit të Komunitetit Lokal për Veprim për Komunitetet RA, që buron nga Strategjia për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Republikën e Kosovës 2022-2026.
Koordinatorja e NJKDNJ-së, Nazmije Demolli-Kastrati, u shpreh: “Jam shumë e lumtur që plani i veprimit për komunitetet Rom dhe Ashkali në Kamenicë po fillon të zbatohet sipas planifikimeve. Kamenica ka qenë gjithmonë shembull i bashkëjetesës dhe gjithpërfshirjes, dhe aktiviteti i sotshëm është një dëshmi e gjallë e këtij shembulli të shkëlqyer.”
Ajo falënderoi nxënësit pjesëmarrës, Drejtorinë e Shkollës së Mesme Teknike IAAP “Andrea Durrësaku”, OJQ “Llulludi”, sektorin e sportit pranë DKRS-së dhe përfaqësuesit e OSBE-së, Jeton Lika dhe Vjosa Eminin, për mbështetjen dhe bashkëpunimin në organizimin e këtij aktiviteti të suksesshëm. /2LONLINE/