Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës vlerëson se Draft Ligji për Pagat në sektorin publik edhe njëherë atakon lidershipin në nivelin lokal, me theks, Kryetarët e Komunave sepse në një formë del kundër përgjegjësive që ka një Kryetar Komune në raport me një pozitë qeveritare me pagë të ngjashme, (psh.një Zëvendësministër).
Në asnjë mënyrë postulati i reklamuar nga Qeveria që për punë të njëjtë të jetë paga e njejtë nuk vlen në këtë rast dhe jo vetëm.
Përjashtim Kryetarin e Kryeqytetit, paga e Kryetarëve të Komunave të Kosovës është nënçmuese edhe për mënyrën e zgjedhjes edhe për përgjegjësitë që ka Kryetari i Komunës.
Kryetari i Komunës sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, përgjegjësitë i ka tejet të mëdha, përveç që zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, kryetari i komunës ndër të tjera përfaqëson komunën dhe ka përgjegjësi direkte ndaj qytetarëve të saj; udhëheq ekzekutivin e komunës dhe administratën e saj dhe mbikëqyr administrimin financiar të komunës; ushtron të gjitha kompetencat, të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite kuvendit të komunës apo komiteteve të tij.
Ndërsa, në anën tjetër, një Zëvendësministër ndihmon ministrin dhe është pjesë e hierarkisë administrative, zëvendëson ministrin në rastet e mungesës së tij të përkohshme apo për përgjegjësitë e deleguara shprehimisht nga ministri.
Poashtu, me këtë projekt-ligj shihe qartë që emërimi politik i një Zëvendësministri bëhet më i rëndësishëm dhe më i çmuar se një Kryetar Komune i zgjedhur me zgjedhje të drejtpërdrejta nga qytetarët.
Pra, si të tilla, këto përgjegjësi nuk reflektojnë nivelin e pozicionimit të një Kryetari Komune në Draft-ligjin e pagave.
AKK-ja do të angazhohet më gjithë kapacitetin e vet që këto ndryshime të reflektohen në projekt ligjin për paga në sektorin publik në takimet me komisionet parlamentare.