Skruan: Arsim Kastrati
Serbia, me Rusinë e zhytur në baltën e Ukrainës deri në fyt, nuk dëshiron që tani të nënshkruaj marrëveshje të mëdha me Kosovën, nën mbikëqyrjen e BE-së dhe të Amerikës. Asaj, më tepër do ti shkonte për shtati, shtyerja e bisedimeve serioze për normalizimin e raporteve me Kosovën.
Serbisë mbase edhe mund t’i konvenojnë trazirat në Kosovë, nëse ka planifikuar që në këtë mënyrë ta forcojë pozicionin negociues dhe bisedimet i çmon të pashmangshme, me kushtin që faji për to t’u mbetet udhëheqësve institucional të Kosovës.
Njëqind t’zeza mos u bafshin por, faji ka me na mbet neve sepse, do të thuhet se për do targa filloi gjithçka.
Tash nëse institucionet e Kosovës nuk mund t’i rregullojnë vet problemet në veriun e rebeluar, ky territor dhe njerëzit aty, fitojnë edhe më shumë peshë politike. E kjo politikë e tyre, dihet mirë, është politikë autonomiste, politikë për kantonizimin e Kosovës.
Druaj se, sa herë që tentohet të rregullohen punët në veriun e Kosovës, duke mos i marr parasysh këshillat e Amerikës, problemet tona vetëm do të zmadhohen.
Sa herë që e ngucë ngatërresën, nga e cila nuk mund të çlirohesh vet por, duhet me të çlirua dikush tjetër, vetëm se e thellon më tepër, atë dhe plagët e saj!
Nëse qeveria jonë i ka parashikuar telashet në veri kur e ka nisë këtë punën e targave dhe ka llogaritë dhe vazhdon të llogaris në intervenimin e instancave politikoushtarake ndërkombëtare për shukatjen e tyre atëherë, është dashur dhe duhet t’i dëgjojë këshillat e Amerikës. /2LONLINE/