Jakup Krasniqi ka thënë se ndryshimet që po bëhen tash në Ligjin për Buxhetin janë duke u keqpërdor për blerjen e votave nga hallexhinjtë. Sipas tij, Qeveria ka mundur edhe më herët të vendos për ndarjen e mjeteve për shërimin e njerëzve, por këtë po e bën pak para zgjedhjeve.
“Ne një situatë të tillë s’ka si mos të shtrohet pyetja, çka është kjo lëvizje e parasë ende pa u bërë tre muaj nga miratimi i Ligjit të Buxhetit për vitin 2014? A është ky Buxhet i shtetit ligjor apo buxheti i Maliqit?! Pse këto para nuk u planifikuan me kohë?! A nuk kishim nevojë më herët për humanizëm e solidaritet apo veç kur duhet blerë votat nga hallexhinjtë e shumtë te Republikës sonë?”, ka shkruar Krasniqi në Facebook
Krasniqi thotë se nëse shuma prej 5.5 milionë eurosh është shtesa e zyrtarëve të lartë shtetërorë, ky fakt duhet të jetë alarm.
“Nëse shuma prej 5.5 milion është shtesa e zyrtarëve të lartë shtetëror, ky fakt duhet të jetë alarm, së pari, për përfaqësuesit e popullit të Kosovës, se dyti, për shoqërinë civile e mediat, për intelektualët e akademikët dhe së treti, për qytetarët e Republikës së Kosovës. Nëse shtesat e zyrtarëve të lartë kapin shumën në fjalë, cila është shuma e pagave ekzistuese (pa rritje). Pastaj cili është numri i atyre zyrtarëve të lartë në Republikën e Kosovës? A kemi nevojë për kaq shumë zyrtarë të lartë të shtetit?”, ka shkruar Krasniqi.