Zgjedhjet lokale sa herë që janë mbajtur, kanë zgjuar interesim të madh tek qytetarët e Komunës së Gjilanit. Qytetarët e Gjilanit janë mjaft të emancipuar politikisht dhe sa herë që janë mbajtur zgjedhjet ato kanë kaluar në mënyrë të rregullt dhe pa probleme.
Avdi AZIRI
Zgjedhjet lokale të 22 tetorit po përcillen me interesim të jashtëzakonshëm nga qytetarët, për faktin e rivalitetit të madh të kandidatëve. Deri më tani, rivaliteti politik ka qenë në mes LDK-së dhe PDK-së, tani raporti ka ndryshuar dhe faktor përcaktues në Komunën e Gjilanit, pas zgjedhjeve nacionale 11 qershorit, nga rezultati zgjedhor ka dalë të jetë Lëvizja Vetëvendosje, ku ajo doli si partia e parë më e votuar nga qytetarët.
Kauza për zgjedhjet nacionale dhe atyre lokale ndryshon në thelb dhe se rezultati i zgjedhjeve nacionale, nuk e determinon edhe rezultatin e zgjedhjeve lokale, sepse në zgjedhjet nacionale qytetarët kanë një kauzë të përbashkët, kurse ne zgjedhjet lokale faktor kryesor është interesi personal i qytetarëve.
Rol vendimtar në zgjedhjet lokale ka kandidati për kryetar komune, nga ai varet edhe fitorja eventuale, anipse roli i partisë është shumë i rëndësishëm dhe po ashtu ndikon edhe lista për këshilltar komunal, sepse kandidatët për këshilltar janë edhe bartësit kryesor të fushatës zgjedhore.
Në Gjilan tani më dihen kandidatët për kryetar komune, ku fokusi i qytetarëve do të jetë ndërmjet tre kandidatëve, Lutfi Haziri nga LDK-ja, Sami Kurteshi nga Vetëvendosje dhe Zenun Pajaziti nga PDK-ja.
Lutfi Haziri-Luta, kandidon për një mandat të radhës, ai kishte fituar me një rezultat plebishitar në zgjedhjet e vitit 2013, duke mposhtur Qemajl Mustafën e PDK-së, i cili kishte udhëhequr për dy mandate komunën e Gjilanit.
Në këto zgjedhje lokale pas rezultatit të zgjedhjeve nacionale të qershorit, pritej që fjalën kryesore ta ketë Vetëvendosje, ku me të drejtë qytetarët priten reflektim nga ky subjekt , pasi që vota e tyre ishte edhe një kërkesë për ndryshim edhe të vet subjektit politik të Vetëvendosjes, por si duket lidershipi i kësaj Lëvizje nuk e lexoi mirë këtë mesazh, ata nominuan për kandidatë një figurë mjaft kontroverse dhe duket se ky kandidat, nuk e ka mbështetjen edhe të anëtarësisë së gjerë të kësaj Lëvizjeje e veçmas të atyre qytetarëve që votuan këtë subjekt më 11 qershor, por që nuk janë anëtarë të Vetëvendosjes.
Lëvizja Vetëvendosje dështoj të hapet për shoqërinë civile, për intelektualë dhe për të gjithë ata që e mbështetën me 11 qershor, sepse qytetarët po kërkojnë ndryshimin dhe jo ta mbajnë peng vendin për shkak të ideologjisë dhe interesave personale të lidershipit të subjektit.
Rritja e Vetëvendosjes nuk ka ardhur si rezultat i besimit në këtë subjekt, qytetarët e votuan si rezultat i zhgënjimit të madh që kanë me partitë tjera, ato parti të cilat ishin në pushtet që nga paslufta, vota e 11 qershorit për Vetëvendosje ishte votë prej zori ,votë e qytetarëve të mbështetur për muri dhe ata që nuk e kuptojnë drejtë këtë mesazh do të zhgënjehen keq.
Në këto zgjedhje në garë është edhe subjekti politik PDK-ja ,e cila pas shumë problemeve të brendshme që po e karakterizojnë këtë parti, tani e sa kohë, me kandidimin e kryetarit të degës Zenun Pajazitit, synojnë që ta ruajnë bazën elektorale e cila është në rënie të lirë.
Nominimi i Pajazitit është bërë në momentet e fundit. Në degën e PDk-së së Gjilanit, qarkullonin informacione se ai nuk ishte interesuar për t’u kandiduar, mandej mësohet se qendra veçse ishte përcaktuar për një kandidaturë tjetër, por si duket në fund, me insistimin e degës, Pajaziti ka pranuar dhe këtë është dashtë ta pranojë edhe qendra, kështu që doli kandidatura e Pajazitit, dhe ai tani do të synojë që mos të ketë përçarje të strukturave të degës në këtë proces zgjedhor dhe se ta ruaj votën elektorale, përkatësisht ta rris numrin e mbështetësve, për ta ndërprerë kështu teposhtëzën e këtij subjekti dhe përmes stabilitetit të krijohet mundësia që në zgjedhjet e radhës të kthehet në një subjekt pretendent për ta fituar Gjilanin.
Përndryshe, vlerësojë se kandidati i LDK-së, Lutfi Haziri, kësaj gare i hyn me ambicie për t’i fituar zgjedhjet, me besimin që ka se, para vetit nuk do të ketë kandidatë serioz dhe se ka avantazh të madh në raport me dy kundërkandidatët .
Nga zhvillimet e deritanishme mendojë se Lutfi Hazirit, nuk iu janë plotësuar qëllimet që kishte në nivelin qendror, për të fituar fuqi politike, andaj ai do të jetë tejet i fokusuar në zgjedhjet lokale për të mbetur i fuqishëm në skenën politike në vend, përmes të qenit kryetar komune.
Andaj, mund të ndodh që ai t’i fitojë zgjedhjet edhe në raundin e parë, mirëpo të jemi të qartë se gjërat mund të ndryshojnë edhe përgjatë fushatës dhe varet se si do t’i qasen fushatës kundërkandidatët e tij.
Po ashtu, varet edhe oferta politike dhe programi që Haziri do t’ia paraqes qytetarëve, sepse në këto zgjedhje nuk mundë të hyhet pa një program të mirë dhe të besueshëm.
Vlerësojë se në këto zgjedhje nuk do të votohet me inercion si në zgjedhjet e vitit 2013, ku vota ishte drejtuar kundër PDK-së, andaj subjektet politike duhet ta kenë të qartë se para qytetarëve nuk mund të dalin me fjalë boshe e premtime të parealizueshme por me gjëra shumë konkrete që prekin jetë ne qytetarëve dhe janë të kapshëm për votuesit para të cilëve do të shpaloset oferta.