Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me drejtorin e Arsimit, Nazim Gagica, kanë parë nga afër procesin e testit të maturës, të cilit i janë nënshtruar 1820 maturantë dhe po zhvillohet në 11 qendra.
Haziri e Gagica kanë konfirmuar se ky ky proces po ecën sipas planifikimit pa asnjë problem.
“Për maturantët është manifestim jetësor sepse ata sot kalojnë nëpër testin e rëndësishëm profesional, i cili hap rrugë për jetën e tyre, për studime ose për mundësi punësimi. Uroj që të jetë një ditë e suksesshme për secilin maturant”, ka deklaruar kryetari Haziri.
Kreu i Gjilanit theksoi se gjatë veres do të bëhet rishikimi i nevojave për shkollat profesionale, sikurse edhe rishikimi dhe riogranizimi i shkollave sipas kurrikulës.
“E falënderoj personelin arsimor dhe Drejtorinë e Arsimit për përmbylljen me sukses të vitit shkollor, por edhe të një viti të rëndë në sektorin e arsimit, sepse paralelisht po shkojmë në reformat e brendshme administrative, standardizimin e normave, zvogëlimin e administratës në maksimalizim për të gjithë personelin dhe nevojat e arsimit. Do të jetë një vit i rëndësishëm, por mbi të gjitha, vendimet i hapin rrugë të rinjve dhe fëmijëve tanë. Numri i nxënësve po bie sepse nuk është më i njejtë numri i maturantëve dhe ai i klasëve të para. Në mes tyre është një shifër paksa shqetësuese”, pohoi Haziri.
Edhe drejtori i shkollës së mjekësisë “Asllan Elezi”, Shaban Tërstena dhe drejtoresha e shkollës “Thimi Mitko”, Sevdije Sadiku, konfirmuan se procesi i testimit po ecën mbarë.