Nuk më kujtohet ndonjë vendim në 100 ditëshin e qeverisë Kurti, që ka impakt të drejtpërdrejt tek qytetari. Është shumë e vërtetë që vendime ka pasur, por kryesisht vendime për shkarkime paligjshëm të bordeve të ndërmarrjeve publike, dhe kapjen e tyre nga pushteti në emër të ç’kapjes.
Shkruan: Ardian AZEMI
Qeveria Kurti nuk ka program qeverisës, bile ai që ekziston, madje si i tillë, nuk mund ti japim epitetin program. Sjellja e kësaj qeverie dhe vendimet, heshtja karshi temave të mëdha, janë në shpërputhje të plotë me premtimet e kamotshme të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes. Gjitha ato që i ka premtua se do ti bëjë me ardhjen e tyre në pushtet, i ka harruar, madje as tërthorazi nuk i ka përmendur, e lëre më ti implementojë.
Ka premtuar se me Serbinë do të ketë dialog vetëm atëherë kur kjo e fundit ti ketë përmbushur shumë kushte të palës shqiptare. Asnjë kusht të vetëm nuk e ka bërë, madje ia dha tregun, ndërsa mashtroi me reciprocitet. Ka premtuar se energjinë e shpenzuar nga pakica serbe në komunat veriore do të paguhet nga vet ata, nuk ndodhi kjo, përkundrazi, u ndanë mjete për kompensim. U harrua Bashkimi Kombëtar, e shkelën recidivisht Kushtetutën, bile për më keq, nuk dhanë as përgjegjësi, as nuk i hoqën masat kundërkushtetuese.
Shumë më mirë do të ishte të mos flitet fare për 100 ditëshin e qeverisjes së tyre. 100 ditët e kësaj qeverie karakterizohen me plotë skandale, në raport me luftën e UÇK-së, në raport me nënat shqiptare që dhanë bijat dhe bijtë e tyre për lirinë e atdheut, në raport me ShBA-të. Me fjalë tjera, qeveria Kurti për ata që shohin pa dioptri partiake, është më skandalozja, më e paafta. Për më keq, është qeveri e cila në përbërjen e saj ka pasur njerëz që kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për me nxitë dhunë, me pasë trazira në vend, dhe kjo u dëshmua edhe dje me aktivitetin e tyre edhe qesharak edhe të kundërligjshëm.
Mbajmë mend që shumë gjatë e pandërprerë është folë për tenderomaninë në Kosovë, për keqpërdorimet e parasë publike përmes tenderave, dhe sot kemi të njëjtën situatë; tenderat u ipen të afërmve, donatorëve të partisë, ish-kolegëve të punës të minitrave.
Qytetarët kanë votua për ndryshim, ndërsa ndryshimi lëre që nuk ndodhi, por u qeverisë shumë më keq se në të kaluarën, e me plotë inate. Shtyrja më bërryla për sa më shumë pushtet e kompetenca, dhe apetitet e tyre për sa më shumë rol në shtet, u shndërruan në platformë qeverisëse, dhe kjo padyshim që e mbyti demokracinë dhe nisën muhabetet e diktaturës, mirëpo kjo e fundit nuk ka vend as në Ballkan e as tek shqiptarët.