Megalomania e “arsyes’’për të zgjedhur deputetin

Megalomania e “arsyes’’për të zgjedhur deputetin

Këto ditë, pata rastin të deklarohem para disa shokëve e miqve të mi për interesimin tim që në këto zgjedhjet të jem njëri nga kandidatët e PDK-së së Gjilanit për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

/Gani NEZIRI/

Më ka habitur fakti i disa prej reagimeve në ato tavolina kur pa fije turpi e morali më thoshin: “Ju nuk mund të bëheni deputet, kot e keni!”.

Dhe natyrisht, nga kureshtja i pyeta. Pse unë nuk mund të bëhem deputet?! Përgjigjja e tyre ishte aq imituese dhe aq jo qytetare sa ‘’mend e zarar’’, siç thotë populli.

E para prej “arsyeve” të tyre ishte: “Je i ardhur në Gjilan!”

Ndërkohë që, nuk u shkonte mendja fare se në Gjilan, mbi 60% e popullatës janë të ardhur si edhe unë dhe do të më mjaftonin pikërisht votat e të ardhurve.

E dyta ‘’arsye’’ ishte: “Nga karakteri si të njohim, ti as nuk blenë e as nuk vjedh vota!”

Merrni me mend miq të nderuar pozicionin e tmerrshëm të qytetarisë sonë! Do të thotë, që të bëhesh Deputet, po u dashka që mes tjerash edhe të vjedhësh e të blesh vota!!! Ruana Zot!

E treta “arsye” e tyre ishte: “Nuk keni me vete njëzet a tridhjetëmijë euro që të paguash dreka e darka!!!”

Ja në ç’gjendje është edukata politike e këtij vendi ku votuesi joshet për t’ua dhënë votën për një drekë a një darkë në njërin nga restaurantet e qytetit! Sado i shijshëm e kalori qoftë ky ushqim, me vlerën e 5, 10 apo 15 euro që të ngop barkun, por pas dy-tri orësh do të zbrazet në njërën nga tualetet e restauranteve.

‘’Arsyeja’’ në vazhdim ishte: “E dimë sigurt se, ju nuk jepni premtime mashtruese para qytetarëve të cilat premtime janë më se të nevojshme për t’i joshur qytetarët për t’ua grabitur votën!!!”

Imagjinoni pra miq të mi të dashur se cili mund të jetë niveli i Deputetit që zgjidhet me këtë kandar, cili është karakteri i tij moral e profesional, cila është forca e tij reale për të mbrojtur një çështje të caktuar në dobinë e interesit madhor të kombit dhe qytetarëve tanë?!

Pra, kujdes ju rini e nderuar, vajza të reja e djem të rinj, që votoni për herë të parë!

– Mos lejoni që të keqpërdoret vota juaj nga kandidatët e premtimeve të rrejshme e të përsëritshme për të disatën herë.
– Mos lejoni që të keqpërdoret vota juaj nga kandidatët e drekave e të darkave.
– Mos lejoni që të keqpërdoret vota juaj duke u blerë nga matrapazët e padijshëm.

Do të jeni të nënçmuar e të përbuzur pikërisht nga ata që ua marrin votën nëpërmjet mashtrimit, drekës, darkës apo blerjes.

Vota juaj është e shenjët, mos e shitni!
E shenjta nuk duhet shitur as me Ar.
Çmojeni votën tuaj, se e juaja është.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE