Emri i ri, Republika e Maqedonisë së Veriut, ka hyrë në fuqi me publikimin e ndryshimeve kushtetuese në Gazetën Zyrtare.
Qeveria në faqen e internetit gjithashtu ka ndryshuar të dhënat duke nisur për herë të parë me përdorimin e emri të ri, Maqedonia e Veriut.
Kryeministri Zoran Zaev pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij Socialdemokrate të martën në mbrëmje kërkoi nga të gjitha institucionet që të ndryshojnë mbishkrimet kurse Ministria e Punëve të Brendshme të nis edhe me ndërrimin e dokumenteve të udhëtimit dhe targat e veturave.
Sipas një vendimi të qeverisë, nga fillimi i vitit 2020, do të hidhen në qarkullim edhe bankënotat e parë me emrin e ri. Procesi i zëvendësimit të tyre do të zgjas deri në pesë vjet, sikurse edhe ai i dokumenteve personale të qytetarëve.
Edhe Greqia përmes një shkrese ka njoftuar Shkupin me vendimin e Parlamentit grek për miratimin e protokollit për anëtarësimin e fqinjit verior në Aleancën Veriatlantike. Autoritetet maqedonase kanë bërë të ditur se të mërkurën në vendkalimin kufitar me Greqinë do të vendoset tabela e parë me mbishkrimin “Republika e Maqedonisë së Veriut”.