Ministri i Financave Bedri Hamza, së bashku me zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës Fatmir Limaj dhe drejtorin e përgjithshëm të Doganës të Kosovës Bahri Berisha, kanë marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes të Zyrës së Doganës të Kosovës në Portin e Durrësit.
Me këtë rast, ministri Bedri Hamza tha se ndjehet shumë i nderuar që në cilësinë e ministrit të Financave të merr pjesë në hapjen e pikës doganore të Doganës të Republikës së Kosovës në portin e Durrësit. Më tej në fjalën e tij Ministri Hamza falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme dhe angazhimin e tyre në realizimin e këtij qëllimi, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj.
Ministri Hamza tha se qëllim dhe prioritet i lartë i Qeverisë së Kosovës është rritja ekonomike dhe bartës i këtij zhvillimi do të jetë sektori privat.
“Ministria e Financave, deri më tani ka ndërmarrë veprime konkrete për t’i harmonizuar procedurat doganore mes dy Doganave të dy shteteve tona. Qëllimi jonë për hapjen e Zyrës së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit është që bizneseve tona kosovare dhe më gjerë të ju ofrojmë një mundësi më shumë se që kishin deri më sot për të bërë biznes me një kosto shumë më të vogël dhe me më pak burokraci doganore. Kjo sipas analizave tona do të na ndihmojë që përveç lehtësimit të importimit të mallit nga vendet e treta në vendin tonë, do të na mundësojë që ta lehtësojmë edhe më shumë eksportin e mallrave nga Kosova për në Shqipëri e më gjerë, duke mos e përjashtuar edhe lehtësimin e tranzitit të mallit përmes territorit të vendit tonë”, shtoi Ministri Hamza.
Është bërë një punë e madhe operative, për ti plotësuar kushtet e operimit të Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit dhe të zhvillimit të procedurës së tranzitit në Portin e Durrësit për mallrat që kanë destinim Kosovën.
Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj theksoi se sot është një moment i rëndësishëm në qëllimin e mëtutjeshëm të integrimit dhe të bashkëpunimit në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, duke vlerësuar se ky projekt është i dyti më i rëndësishëm që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës që po implementohet sot.
“Pas një pune të përbashkët, një projekti të përbashkët madhor të ndërtimit të Autostradës Tiranë-Prishtinë, sot në këtë ditë është projekti më i rëndësishëm konkret në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, integrimi i doganave si vizion i yni i përbashkët drejt unionit doganor në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, shtoi Zëvendëskryeministri Limaj.
Ai më tej bëri të ditur se në cilësinë e koordinatorit kombëtar për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të marra nga Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë tha se nga katër vendime të marra në mbledhjen e përbashkët të Qeverive të mbajtur në Pejë tanimë po implementohet marrëveshja e dytë, e para është integrimi i kufijve në fillim të këtij viti dhe e cila pritet të përfundoj në mars dhe sot Dogana e Kosovës po themelohet në Portin e Durrësit.
Ndërsa, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama tha se ndjehet mirë që sot po mblidhen në një stacion tjetër të rrugëtimit të projektuar në mbledhjen e dy qeverive për të hapur Zyrën Doganore të Kosovës në Durrës dhe për ta kthyer kështu portin e Durrësit jo vetëm në një Doganë të Shqipërisë por edhe në Doganë të Kosovës, duke shtuar se ky është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, shkurtimi i burokracive, i orëve të pritjes së kontrolleve, i kostove të pallogaritshme për bizneset janë efekt i drejtpërdrejtë i hapjes së kësaj zyre doganore.