Stinori pranveror në Superligën e Kosovës në futboll, sot ka nisur me disa ndeshje, e skuadra e Dritës, e cila këtë stinor e fillon nga kreu i tabelës, ballafaqimin e parë e ka të dielën. Ndërkohë që, Valon Zymberi, drejtor sportiv në FC Drita, thotë se ky klub është në gjendjen më të mirë të mundshme dhe gati për këtë stinor, për të cilin pret të jetë i rivalizuar dhe shumë i nxehtë.
Zymberi ka folur për përgatitjet dhe formën e skuadrës, për çka theksoi se Drita është gati me të gjitha kapacitetet për gjysmë edicionin e ri.
“Ne si klub jemi munduar t’i bëjmë të gjitha përgatitjet që ky stinor të na gjejë në formën më të mirë të mundshme. Ambiciet e klubit tashmë dihen dhe për këtë ne si klub jemi munduar që ky stinor i ri të na gjejë sa më të përgatitur”, ka thënë Zymberi.
Ai shtoi se, bashkë me trajnerin Arsim Thaqin, me të cilin kanë freskuar shtabin teknik, pas përmbylljes së bashkëpunimit me ish trajnerin Ardian Nuhiu,, i kanë bërë përgatitjet dhe janë munduar që të përforcojnë pikat në të cilat kishim nevojë t’i rifreskojmë.
“Kemi kryer dy minifaza ku gjithcka shkoi mirë dhe fatmirësisht nuk kemi pasur lëndime. Jemi në gjendjen më të mirë të mundshme dhe gati për stinorin e ri, I cili pritet të jetë i rivalizuar dhe shumë i nxehtë”, theksoi Valon Zymberi, drejtor sportiv te FC Drita. /2LONLINE/