“Në emër të subjektit politik FJALA, veçanërisht në emër të forumit rinor të FJALËS kemi dal sot të shprehim shqetësimin dhe indinjatën tonë për vendimin që studentëve të dalluar të iu zvogëlohet bursa”, është thënë në konferencën e sotshme të përfaqësuesëve të Partisë Fjala, Marigona Krasniqi dhe Hamit Gashi.
“Me uljen e bursës në radhë të parë po nënçmohet studenti, po destimulohet, kjo pastaj është e dëmshme edhe për të ardhmen e vendit kur dihet se një rini e arsimuar është shpresë për një të ardhme më të ndritur. Bursa është meritë e studentëve dhe u takon atyre për përkushtimin dhe rezultatet e arritura në studime dhe si të tillë duhet ta gëzojnë”, ka thënë Marigona Krasniqi.
Ajo shtoi se zvogëlimi i bursës së studentëve në një anë dhe rritja e pagës së kryeministrit në anën tjetër është plotësisht e pa pranueshme dhe jo e drejtë.
Krasniqi ka thënë se paga e kryeministrit dhe e ministrave të qeverisë së Republikës së Kosovës është më e larta në rajon dhe më gjerë. Gjithashtu edhe paga e deputetëve është më e larta në rajon. Dhe kjo nuk i mjafton kësaj qeverie, ata marrin vendim për rritje pagash për Kryeministrin dhe ministrat dhe këshilltarët politik. Ndërsa papunësia në Kosovë është më e larta në rajon dhe europë. Rreth 40% e popullit të Kosovës jeton në varfëri.
Ndërsa, Hamit Gashi ka thënë se zvogëlimi i bursës nga 900 euro në 600 dhe tash në 500 euro është një padrejtësi e madhe që po i’u bëhet studentëve, andaj ne kërkojmë që ky vendim të kthehet mbrapa dhe studentët të marrin bursën prej 900 eurove sa kishin në fillim.
“Ne si FJALA propozojmë që qeveria ta mbështesë arsimin në Kosovë dhe përmes Ministrisë se arsimit duhet mbështetur Universiteti i Prishtinës. Qeveria në vend të buxhetit që po shpenzon për rritje të pagave për kabinetin qeveritar, duhet të alokoj buxhetin në arsim”.
Rritjen e pagës së Kryeministrit, ministrave dhe deputetëve kryetari i FJALËS Gëzim Kelmendi e ka kundërshtuar fuqishëm edhe gjatë dy mandateve sa ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës. “Ne si FJALA e dënojmë fuqishëm çdo vendim që është kundër interesave të studentëve në veçanti , dhe popullit në përgjithësi”.