Blerton Ajeti, drejtor në DMSH, ka thënë për Portalin e Lajmeve Lokale “2lonline”, se vetëm brenda 10 ditëve të fundit në komunën e Gjilanit janë shënuar mbi 40 zjarre por jo të karakterit shqetësues.
Sipas Ajetit, tani kur temperaturat janë më të larta dhe në vazhdimësi, pritet edhe ballafaqimi me raste të shkaktimit të zjarreve, por fatmirësisht ato deri më tani kanë qenë zjarre të vogla dhe ajo që ja vlen të theksohet se ato nuk janë zjarre të përmasave të mëdha por janë të karakterit me intensitet të kontrolluar.
“Kryesisht këto zjarre janë zjarre hamullore fushore, nuk kemi pas ndonjë rast të zjarreve të pyjeve, pishave apo pasurisë kombëtare, zjarre që rrezikojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë Ajeti.
Sipas tij, shërbimi i zjarrfikësve ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë për çdo rast të lajmërimeve të zjarreve duke qenë përherë në vendngjarje e në disa raste kanë asistuar edhe përfaqësues të DMSH-së.
Ajeti ka përmendur rastin më të fundit kur fal angazhimit të zjarrfikësve nuk është lejuar që zjarri ti kaplojë pishat në fshatin Velekincë, duke u ballafaquar për më se 3 orë me zjarrin që kishte shpërthyer afër këtyre pishave.
Ajeti ka apeluar te qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bëhen shkaktar të shpërthimit të zjarreve, të jenë b bashkëpunues me Drejtorinë në fjalë dhe të shtojnë vigjilencën sidomos në këtë kohë kur temperaturat janë të larta dhe në vazhdimësi.
Po ashtu të jenë të kujdesshëm mos të jenë iniciues të ndezjeve të hamulloreve sepse zjarri mund të shpërndahen shpejtë dhe mandej mund të ketë probleme me menaxhim të zjarrit, me këtë rast pasojat do të ishin të mëdha.
Përndryshe, Ajeti ka bërë me dije se ata persona që shkaktojnë zjarre, me këtë bëjnë vepër penale dhe se karshi këtyre akteve që mund të karakterizohen me pasoja, ekzistojnë edhe gjobat. /2lonline/