Elektorati të votojnë ata kandidatë që e vlerësojnë që i përmbushin premtimet elektorale. Të mos u besojnë fjalëve të liderëve të korruptuar të partive të dështuara politike, në veçanti atyre që për 10 vjet rresht luajtën me fatin e Kosovës, atyre që thyen shpresat për ndryshime pozitive në vendin tonë.
Këto parti të dështuara politike, me këta liderë të korruptuar dhe të tejinkriminuar partiakë janë e keqja më e madhe e këtij vendi
Florim Zeqa
Në prag të pushimeve verore, gjatë bisedës me një mik timin, i cili jeton dhe vepron prej vitesh në Gjermani, përderisa planifikonim të realizojmë së bashku vizitat në vendlindje, ndër të tjera miku im i çmuar më parashtroi këtë pyetje; ” Florim, me kë e preferoni apo e keni në plan të takoheni në vendlindje?
Përgjigjja ime ishte e qartë dhe e prerë, me secilin që më jepet mundësia, përveç politikanëve dhe liderëve partiakë. Ashtu edhe ndodhi. Me mikun në fjalë u takuam disa herë, herë në një qytet e herë në tjetrin, herë në Pejë, e herë në Prishtinë,…ku takuam miq të përbashkët të fushave të ndryshme, si: veprimtarë, analistë, shkrimtarë, gazetarë dhe qytetarë të thjeshtë, por shumë të sinqertë dhe të devotshëm të Republikës së Kosovës.
Ngjashëm me pushimet në vendlindje, e kam vendosur të përcjellë fushatën e porsafilluar të zgjedhjeve lokale në Kosovë, që i bie, “do të jem me të gjithë qytetarët e Kosovës, nuk do të mbështes asnjërin subjekt politik, i mbështes të gjithë kryetarët e rinj të komunave të Kosovës të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve, sikurse që nuk do ta pranoj asnjë zgjidhje që vjen si produkt i pazareve të pista partiake dhe kontrabandës së votës së lirë të bashkatdhetarëve të mi “.
Qytetarë të Republikës së Kosovës, nga tani e deri në përfundim të zgjedhjeve lokale më 22 tetor 2017-të, me shkrimet e mia nuk do të favorizoj dhe as kundërshtoj asnjërën parti apo kandidat, me qëllim që të mos influencojë në votën tuaj të lirë.
Përballje mes rivalëve dhe partnerëve politikë
Zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të jenë vazhdimësi e zgjedhjeve qendrore. Mungesa e një alternative të re politike do të bëjë që edhe zgjedhjet lokale të mos dallojnë shumë nga rezultatet e zgjedhjeve qendrore.
Do të jenë me fat ato (pak) komuna, të cilat do të kenë fatin të zgjedhin kryetarin e ri në raundin e parë. Ndryshe, me raundin e dytë apo të ashtuquajturin balo(sh)tazh do të përballen shumica e komunave të Kosovës.
Ndryshe, balotazhi, përveçse përballje mes rivalëve politikë, do të sjellë edhe përballje mes partnerëve në koalicionin qendror, i cili sikurse herëve të tjera do të shkaktojë kontrabandë dhe vjedhje industriale të votës së qytetarëve, indinjatë dhe thyerje të thellë në mesin e elektoratit të partive politike.
Premtimet (mashtrimet) e kandidatëve për kryetar komunash do të jenë të njëjta, sikurse që do të jenë të njëjta edhe gënjeshtrat e liderëve partiakë. Të ndryshme nga zgjedhjet qendrore do të jenë vetëm sloganet partiake, disa prej të cilave na dolën të jenë më tepër se paradoksale.
Rezultati i zgjedhjeve lokale, “mollë sherri” për koalicionet e nivelit qendror
Ajo që pritet të ndodhë pas zgjedhjeve lokale është prishja e balancës së koalicioneve të nivelit qendror. Fare lehtë mund të ndodhë që rezultatet e nivelit lokal të determinojnë prishjen e koalicioneve për pushtetin qendror, gjegjësisht prishjen e koalicionit qeverisës, i cili do të shkaktonte mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në fund të dhjetorit apo fillimin e janarit 2018!
Mbase ky do të jetë qëllimi kryesor i partive që nuk i arritën objektivat e dëshiruara elektorale të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, në radhë të parë nga partitë opozitare, por një skenar i tillë nuk përjashtohet as nga partitë në pushtet, të cilat nuk e ndjejnë se kanë marrë pjesën e dëshiruar të “tortës qeveritare”!
Paqe e dashuri vëllazërore mes elektoratit shqiptar
Në këtë fushatë të zgjedhjeve lokale i bëj thirrje elektoratit kosovar të tregojë maturi dhe pjekuri politike. Në asnjë rrethanë, të mos bjerë pre e matrapazëve politikë, të gjykojnë me gjakftohtësi të gjitha situatat dhe prapaskenat e liderëve partiakë. Të votojnë ata kandidatë që e vlerësojnë që i përmbushin premtimet elektorale.
Me një fjalë, të mos u besojnë fjalëve të liderëve të korruptuar të partive të dështuara politike, në veçanti atyre që për 10 vjet rresht luajtën me fatin e Kosovës, atyre që thyen shpresat për ndryshime pozitive në vendin tonë. Këto parti të dështuara politike, me këta liderë të korruptuar dhe tejinkriminuar partiakë janë e keqja më e madhe e këtij vendi.
Andaj, qytetar të respektuar të Republikës së Kosovës, bashkëkombës të dashur, përcaktohuni vetëm për kandidatët që mund të sjellin ndryshimin në komunën e tuaj. Vëllezër dhe motra, ju ftoj që gjatë fushatës njëmujore, përveç pjekurisë politike për vendimmarrje të drejtë më 22 tetor, të dëshmoni paqe e dashuri vëllazërore me njëri-tjetrin.
Pavarësisht prejardhjes partiake, të gjithë kandidatët (kandidatet) janë vëllezër e motra tonat, nga të cilët presim që nesër t’na sjellin ndryshim dhe mirëqenie qytetare në komunat tona. Bashkatdhetarë të nderuar, elektorat i çmuar kosovar, forca e ndryshimit është në dorën e tuaj, në votën tuaj të lirë dhe sovrane.
Andaj, në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim mos ua shitni votën matrapazëve politikë. Injoroni dhe denonconi në polici, prokurori dhe gjykata të gjithë ata që ua kërkojnë votën në këmbim të parave të pista. Me bërjen publike të emrave të matrapazëve politikë do të fillojë epoka e ndryshimit të madh në politikën kosovare. Zoti e bekoftë votën e lirë të shpirtrave fisnikë të elektoratit kosovar më 22 tetor 2017!