Fatkeqësia e këtyre zgjedhjeve po duket qysh në fillim ende pa filluar fushata zyrtare e zgjedhjeve të 14 Shkurtit 2021. Parti të caktuara nuk kanë oferta apo programe politike për të garuar në këto zgjedhje. Si oferta para elektoratit kanë zgjedhur viktimizimin, sulmin, kërcënimin, linçimin e gjithë kundërshtarëve në garë, keqpërdorimin dhe shfrytëzimin e plagëve të familjeve të ndryshme të krijuara nga lufta e fundit deri më tani.
Shkruan: Avdyl Jerliu
Me një shtet normal, partitë politike në zgjedhje garojnë me programe të ndryshme ekonomike e politike, ku si në rastin e Kosovës duhet të ishin faktori kryesor për përcaktimin e qytetarit se kujt do t’ia jap votën e tij.
Por dihet qartë se për të përgatitur një program kredibil dhe të implementueshëm duhen kuadro kredibile në të gjitha aspektet pa përjashtim. Nuk mundesh të hartosh program me njerëz të cilët nga mëngjesi e deri në darkë e torturojnë publikun dhe këdo që mendon ndryshe me sharje, linçime dhe kërcënime pa përjashtuar edhe institucionet e shtetit.
Nuk të duhet të jesh njohës i mirë i ekonomisë për ti kuptuar gënjeshtrat dhe premtimet boshe e të përsëritura për shumë zgjedhje radhazi. Kur i dëgjon gjoja se “programet” e disa partive politike, të mbushin vrerë, sepse ato nuk janë programe por gënjeshtra sepse nuk ofrojnë tjetër veçse rritjen e pagave dhe skemave sociale, pensionale. E keqja e krejt kësaj është se nuk i arsyetojnë ato rritje të pagave nga do ti sigurojnë këto mjete financiare në buxhet.
Kur dihet se tërë ditën dhe për gjatë gjithë fushatës zgjedhore premtojnë zbritjen e taksave dhe tatimeve, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në zvogëlimin e të hyrave buxhetore në nivel vendi.
Askush nuk fletë se si do të mundeshin të rriten të hyrat në nivel vendi, si do ta ulim informalitetin, si do ta zgjerojmë bazën tatimore, si do ta shpenzojmë buxhetin, ku do ta shpenzojmë buxhetin, çka pritet të sjell ky shpenzim i buxhetit në fushat e caktuara për mirëqenien e qytetarit, ku është paraparë të shpenzohet ky buxhet për 4 vitet e ardhshme, sa do të planifikohen të hyrat buxhetore për 4 vitet e ardhshme veç e veç, sa do të planifikohet rritja ekonomike për 4 vitet e ardhshme dhe cilat janë projektet prioritare për 4 vitet e ardhshme.
Unë besoj se pak a shumë këso ofertash na duhen me u prezantua nga partitë politike para qytetarëve, e jo sharje linçim, kërëcnim e çka jo tjetër sepse pas datës 14 Shkurt na duhet qeverisja e mirë me program të qartë për 4 vitet e ardhshme.
Oferta ekonomike e shumicës së partive politike në vend sa i përket GDP nuk vlerësohet të jetë më e lartë se 6% për mandatin e ardhshëm 4 vjeçar. Kjo tregon mungesë të konsistencës në premtime.
Premtimet e rrejshme i lëndojnë qytetarët dhe pritjet e tyre, njëkohësisht krijojnë zhgënjim deri në ikje nga vendi. Premtimet reale ekonomike janë ato që na njoftojnë qartë me mënyrën e zhvillimit sot, nesër dhe krijojnë qëndrueshmëri fiskale e buxhetore jo për një vit, por për shumë vite radhazi.
Ju lutem qytetarë të nderuar, besoni dhe rreshtohuni mbrapa atyre që premtojnë në mënyrë reale dhe racionale, premtime të argumentuara, të arritshme, të qëndrueshme, sepse nëse josheni nga premtime boshe e të paargumentuara, atëherë do të zhgënjeheni keq dhe ky zhgënjim e ka emrin emigrim. /2LONLINE.com/