DYLON

Deklaratë e Qeverisë në lidhje me procesin e votimit në katër komunat veriore të Kosovës

Deklaratë e Qeverisë në lidhje me procesin e votimit në katër komunat veriore të Kosovës
Avatar photo Redaksia

Deklaratë e Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me procesin e djeshëm të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit

Në Komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, dje u mbajt procesi i votimit për largimin ose jo të kryetarëve të këtyre komunave, sipas udhëzimit administrativ, mbështetur në nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Procesi u përmbyll pa asnjë incident. Për këtë, përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet tona të sigurisë.

EkoHigjiena

Rikujtojmë se ky proces ishte nxitur nga kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të reja në këto komuna, duke marrë shkas mungesën e legjitimitetit të plotë të kryetarëve aktualë pas daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023. Ai filloi me grumbullimin e nënshkrimeve të 20% të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Megjithatë, Lista Serbe që fillimisht ishte shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj inicuese e votimit të djeshëm, përsëri bojkotoi procese demokratike, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe interesit qytetar.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votimin e djeshëm dhe falënderon ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore. Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë.

Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh edhe një herë mbështetjen dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe shërbimin ndaj qytetarëve të këtyre katër komunave, pa dallim.

Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.