Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, priti në takim një delegacion të Caritas-it Zviceran, i prirë nga Daniel Bronkal, drejtor rajonal për Ballkanin perëndimor.
Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin që ka MPB-ja, përmes Departamentit për Ri-integrim e Personave të Riatdhesuar, me Caritasin dhe projektet e përbashkët që kanë të bëjnë në fushën e ri-integrimit të personave të riatdhesuar.
Theks i veçantë në këtë takim iu vu projektit: “Kthimi i Qëndrueshëm i Personave të Riatdhesuar përmes integrimit socio-ekonomik”. Ky projekt është shumë i rëndësishëm sa i përket trajtimit të personave të ri-atdhesuar.
Zëvendësministri Zeka shprehi gatishmërinë e MPB-së që ky projekt i planifikuar më herët të realizohet në afat sa më të shkurtër së bashku me Caritas-in Zviceran, të cilët edhe janë pjesë e projektit.
Në këtë takim u vlerësua se angazhimet e donatorëve dhe njerëzve profesionist kanë ndihmuar Departamentin e Ri-integrimit dhe ri integrimin në përgjithësi, i cili ka pasur sukses në ndihmë të gjithë personave që kanë nevojë për riatdhesim dhe çështje tjera specifike që lidhen me jetën dhe akomodimin e tyre në shtetin e Kosovës.