Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka ka marrë pjesë në konferencën e nivelit të lartë për: “Përputhshmërinë e Kosovës me standardet Evropiane dhe ndërkombëtare në Luftën kundër Korrupsionit dhe Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit”, që u mbajt në Prishtinë.
Fillimisht zëvendësministri Zeka theksoi se vlerësimi i përmbyllur me dy raportet nga Projekti i përbashkët i BE-se, Këshillit të Evropës për pajtueshmërinë e Kosovës me standardet ndërkombëtare kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit është rezultat i një rishikimi reciprok në bashkëpunim me institucionet relevante vendore dhe, me këtë rast, dua të shpreh angazhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të strukturave të mbikëqyrura prej saj në përpjekjet e vazhdueshme për parandalimin dhe luftimin e këtyre dukurive.
“Ministria e Punëve të Brendshme luan një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe zvogëlimin e kriminalitetit dhe garantimit dhe rritjes së sigurisë për qytetarët. Ajo e ushtron misionin e saj nëpërmjet mbikëqyrjes së autoriteteve të zbatimit të ligjit, bashkërendimit të politikave në fushën e sigurisë dhe kontributit në mekanizma të caktuar të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit” theksoi zëvendësministri Zeka.
Ndër të tjera zëvendësministri Zeka theksoi se ka një vlerësim se MPB, sa i përket pajtueshmërisë me standardet ndërkombëtare, theksohet se ka progres në nivelin e pajtueshmërisë me kriteret teknike përfshirë përgjegjësitë e autoriteteve të zbatimit të ligjit. Nga ana tjetër, për mangësitë dhe nevojat e identifikuara, MPB do të mbetet e angazhuar të marrë masa dhe adresojë rekomandimet e bëra duke vendosur prioritete.