Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i shoqëruar nga Inspektori i Përgjithshëm i FSK-së, gjeneralmajor Irfete Spahiu, priti në takim të emëruarën e re në postin e Zëvendës Asistentes për operacione e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Burcu San, të shoqëruar nga drejtori i NALT-it, Gjeneral Brigade Joachim Hoppe dhe Blanca Hereza-Atienza, oficere e sektorit të operacioneve aktuale në Selinë e NATO-s.
Në këtë takim u bisedua lidhur me situatën e përgjithshme në vend, rajon dhe më gjerë, Planin Gjithëpërfshirës së Tranzicionit të FSK-së, bashkëpunimin ndërkombëtar, integrimin e komuniteteve pakicë dhe rritjen e numrit të grave dhe vajzave në FSK.
Me këtë rast, zëvendësministri Syla bëri të ditur për angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe pozicionin e Republikës së Kosovës në kuadër të sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve në mjedisin aktual të sigurisë dhe realitetit gjeopolitik aktual, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë.
Zëvendësministri Syla theksoi veçanërisht procesin e integrimit në NATO të Republikës së Kosovës, si dhe me këtë rast njoftoi për objektivat strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes në zhvillimin dhe avancimin e FSK-së, synimet në fushën e diplomacisë së mbrojtjes, bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe angazhimin e Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së saj në proceset integruese euroatlantike. /2LONLINE/