Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka pritur sot në takim ushtarët e Kursit të Lartë të Oficerit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe FSK-së, vizita mësimore e të cilëve është në kuadër të planit të bashkëpunimit bilateral në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Në këtë takim, Zëvendësministri Syla theksoi se ekziston një bashkëpunim shumë i mirë vëllazëror në mes të të dy vendeve, në veçanti në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe se ky bashkëpunim do të duhet të avancohet edhe më tej, me qëllim të përballimit të sfidave dhe vështirësive eventuale.
Më tej, në këtë takim u shtjelluan edhe shumë tema me interes të të dy palëve, e që kryesisht ishin lidhur me proceset aktuale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Me këtë rast, Zëvendësministri Syla ka pranuar nga Akademia e Forcave të Armatosura të Shqipërisë një certifikatë falënderimi dhe mirënjohjeje për pritjen vëllazërore për kursantët dhe stafin pedagogjik të Kursit të Lartë të Oficerit, në kuadër të kësaj vizite mësimore në Ministrinë e Mbrojtjes.
Vizita e pjesëtarëve të Kursit të Lartë të Oficerëve të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë ka vazhduar edhe për tek Shtabi i Përgjithshëm si dhe në kazermat tjera të FSK-së. /2LONLINE/