Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga zëvendësministri i MPB-së, z. Selami Shkodra, shoqëruar nga z. Amir Ahmeti, i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), po qëndrojnë për vizite zyrtare në EBA.
Zëvendësministri Shkodra u prit nga zëvendës-sekretari i Punëve të Brendshme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Lt. General Saif Abdullah Al Sha’far.
Zëvendësministri Shkodra falënderoi zëvendëssekretarin për kontributin e Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë gjatë luftës, duke ndihmuar refugjatët kosovarë dhe pasluftës për ndihmën në sigurinë e vendit përmes kontingjentit të tyre në kuadër të KFOR-it, si dhe ndihmën e EBA në fusha tjera duke kontribuar direkt në konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Gjatë këtij takimi, zëvendësministri Shkodra theksoi se procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë është në interes të organizatave ndërkombëtare, shteteve anëtare dhe në veçanti për Republikën e Kosovës.
“Anëtarësimi i Kosovës në organizata të sigurisë, sidomos anëtarësimi në INTERPOL është një prioritet kryesor i MPB-së, i cili do t’i mundësonte Kosovës që të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe globale, duke u bërë pjesë aktive në shkëmbimin e informacioneve për grupet kriminale”, tha zëvendësministri Shkodra, duke theksuar se Policia e Kosovës është një nga forcat policore më profesionale në rajon dhe ka aftësi të plotë për bashkëpunim ndërkombëtar.
Me këtë rast, zëvendësministri Shkodra mori përkrahje nga Lt. General Saif Abdullah Al Sha’far në procesin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.
Gjatë kësaj vizite, zëvendësministri Shkodra takoi grupin që është përgjegjës për organizimin e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it që mbahet në Dubai në muajin nëntor të këtij viti.
Delegacioni nga Kosova u prit edhe në Akademinë Policore të Abu Dhabit dhe të Dubait, ku u njoftuan me punën dhe organizimin e tyre.
Të dyja palët u pajtuan që të fillojnë bashkëpunimin konkret në fushën e përgatitjes profesionale për policet e rinj dhe bashkëpunimit policor në fusha tjera.
Delegacioni nga Kosova bëri homazhe tek memoriali “Wahat Al Karama” memorial i luftës për të nderuar ushtarët e Emirateve që kanë humbur jetën në misionet e huaja, në mesin e tyre nderoi heroin i cili humbi jetën në vitin 2001 në Kosovë, gjatë shërbimit të tij si pjesëtar i forcave të EBA në kuadër të KFOR-it.