Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), njëherësh Kryetari i Komisionit për Administrimin e Prokurorive, z. Veton Shabani, me bashkëpunëtorë, ka vizituar Drejtorinë e Policisë Rajonale në Prishtinë, ku është pritur në takim nga Drejtori i kësaj drejtorie, z.Basri Shabani, me bashkëpunëtorë.
Vizita e sotme është realizuar në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë lidhur me shkëmbimin elektronik të të dhënave përmes sistemeve që janë vënë në zbatim, me ç’rast janë diskutuar çështje me interesit të përbashkët dhe rrjedhimisht edhe sfidat, me të cilat ballafaqohen institucionet prokuroriale dhe ato të Policisë së Kosovës.
Sidomos, gjatë këtij takimi, janë diskutuar në mënyrë të detajuar aspektet që kanë të bëjnë me sigurimin e numrit personal për të gjitha llojet e palëve, regjistrimin e tyre, regjistrimin e veprave penale, trajtimin me kujdes të dyfishimit të lëndëve (sidomos ato të krimeve ekonomike), bashkëngjitjen e dokumenteve adekuate dhe dërgimin e kopjeve fizike në prokurori, si procedura të nevojshme që lehtësojnë punën e përbashkët në raportet ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë.
Gjithashtu, në përfundim të takimit, të dy bashkëbiseduesit, z.Veton Shabani dhe z. Basri Shabani, shprehën zotimin e tyre të përbashkët për forcimin dhe avancimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në luftën kundër çfarëdolloj krimi që shfaqet. /2LONLINE/