Në vazhdën e takimeve me zyrtarë të lartë të shtetit në Kroaci, zëvendëskryeministri Dardan Gashi, njëherësh ministri i MDIS-it, ka takuar deputeten shqiptare në Parlamentin kroat, Ermina Lekaj – Perlaska.
Qendra Kulturore, mësimi plotësues në shqip dhe hapja e Katedrës së gjuhën shqipe ishin disa nga temat e diskutuara në këtë takim.
“Diaspora shqiptare në Kroaci është e inkuadruar mirë në shoqërinë kroate, duke marrë parasysh edhe kontributin e shqiptarëve në luftën shtetndërtuese. Kosova, bashkë me Shqipërinë, do t’ju mbështesim gjithashtu”, ka thënë me këtë rast zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i MDIS-it, Dardan Gashi.
Ndërkaq, deputetja shqiptare me origjinë nga Prizreni, në të ardhmen e afërt, pret më shumë të rinj shqiptarë të punësuar në institucionet kroate.
“Përforcimi i raporteve tona ndërshtetërore është me rëndësi. Komuniteti shqiptar në Kroaci numëron 19 mijë veta dhe është i fortë. Po synojmë punësimin e të rinjve tanë në Institucionet e vendit”, ka thënë deputetja Ermina Lekaj Perlaska.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Unionit të Shqiptarëve në Kroaci ngritën disa çështje të rëndësishme, si ajo e certifikimit të mësuesve shqiptarë në kuadër të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, për një marrëveshje ndërshtetërore për punë sezonale në Kroaci, për mungesën e informimit të studentëve në Kosovë rreth bursave që jep shteti kroat.
“Po interesohemi edhe për fatin e luftëtarëve të zhdukur shqiptarë të Vukovarit”, ka thënë kryetari i Unionit, Esad Qollaku, njëherësh veteran i Luftës në Kroaci.
Unioni i Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë shprehën interesim edhe në fushën e investimeve strategjike duke ofruar dhe një projekt konkret.
Gjatë takimeve zyrtare në Republikën e Kroacisë, zv. kryeministri, njëherësh ministri i Diasporës dhe investimeve strategjike, Dardan Gashi, ka takuar ministren për zhvillim rajonal dhe fondeve të BE-së, Gabrijela Zelac.
Zv. kryeministri Gashi përgjatë të gjitha takimeve ka qenë i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Zagreb, Gëzim Kasapolli.