Në kuadër të vizitës zyrtare në Strasburg, Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, zhvilloi një takim me Zëvendës Sekretarin e Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.
Z. Berge mirëpriti vendimet dhe qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi konfliktin në Ukrainë dhe gjithashtu përafrimin e plotë të politikës së jashtme të Kosovës me atë të BE-së.
U riafirmua rëndësia që bashkëpunimi i Kosovës dhe Këshillit të Evropës të vazhdojë intensivisht si pjesë e Komisionit të Venedikut, Bankës së Këshillit të Evropës, Kuvendit dhe Komunave.
Të dyja palët u pajtuan se Evropa duhet të jetë e bashkuar jo vetëm në çështjen e Ukrainës, por edhe në çështjet e tjera të cilat ndërlidhen edhe me Ballkanin Perëndimor. Në takim u diskutua edhe mbi aplikimin e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian, ku u theksua se progresi i Kosovës në reformat e rekomandimet e BE ka vijuar me rezultate pozitive.
Z. Berge mirëpriti dhe iniciativën e Kosovës për aplikim për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi Zëvendës Sekretarin Berge për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme dhe u riafirmua se do të vazhdojë progresi në reformat kyçe dhe prioritare në kuadër të ERA II si dhe përkushtimi në vlerat dhe politikat e Bashkimit Evropian. /2LONLINE/