Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim delegacionin e deputetëve të Parlamentit Evropian (PE) të përbërë nga Rome Franz (të Gjelbërtit, Republika Federale e Gjermanisë), Viola von Cramon-Taubadel (të Gjelbërtit, Raportuesja e PE-së për Kosovën) si dhe Bettina Vollath (Partia Social-Demokrate, Republika e Austrisë).
Zëvendëskryeministri Bislimi tregoi për hapat që Kosova ka marrë në çështje të integrimit evropian, për progresin e vaksinimit, rritjen e qëndrueshme ekonomike, si dhe reformat e tjera të ndërmarra nga qeveria në muajt e fundit. Ai gjithashtu potencoi rëndësinë e BE-së në procesin e liberalizimit të vizave dhe theksoi se ky proces është komplet i ndarë me atë të dialogut.
U diskutua për bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova ka qenë vazhdimisht palë aktive dhe konstruktive, duke dhënë propozime të reja si marrëveshja e paqes dhe marrëveshja për lehtësimin e barrierave tregtare.
Zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi deputetët për vizitën dhe u uroi qëndrim të këndshëm në Kosovë. Gjatë vizitës dy ditore eurodeputetët do të takohen me personalitete dhe zyrtarë të institucioneve që lidhen me fushëveprimin e tyre në Parlamentin Evropian. /2LONLINE.com/