Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u prit në takim ditën e djeshme nga ministri për Punë Evropiane i Republikës së Çekisë, Mikuláš Bek.
Temat kryesore të diskutimit në këtë takim ishin e ardhmja evropiane dhe sfidat e përbashkëta. Zëvendëskryeministri Bislimi tha se ky është një vit i rëndësishëm dhe ambicioz në agjendën evropiane të Kosovës. Kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për të cilin edhe e falënderoi Republikën e Çekisë për mbështetjen e vazhdueshme. Kosova pret zhvillime pozitive dhe dinamikë të re në çështjen e liberalizimit të vizave, për të cilën i ka përmbushur të gjitha kushtet. Gjithashtu, ai e informoi ministrin Bek, për synimin e Republikës së Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në BE brenda këtij viti, pas 6 vitesh të rrugëtimit në implementimin e dokumenteve të rëndësishme si Marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe Agjenda për Reforma Evropiane.
Zëvendëskryeministri Bislimi foli dhe mbi objektivat për punësim dhe drejtësi dhe progresin që ka njohur Kosova gjatë Qeverisë Kurti II, ku është shënuar rritje dyshifrore ekonomike (10.53%), rritje e eksporteve prej 83%, e investimeve të huaja direkte për 22%, rritje e të hyrave buxhetore dhe qarkullimit vjetor të bizneseve për 1/3-tat. Si rezultat i luftës së vazhdueshme ndaj krimit dhe korrupsionit, Kosova ka shënuar përmirësim rekord vjetor për 17 vende në indeksin e Transparency International për perceptimin e korrupsionit e poashtu 17 vende në indeksin e lirisë së medias, World Freedom. Ndërkohë, sipas World Justice Project, për vlerësimin e sundimit të ligjit, Kosova është e 60-ta në botë dhe e para ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
‘’Zhvillimet pozitive, ku demokracitë janë ato që fitojnë, duhet të jenë gjithmonë të inkurajuara’’, tha zëvendëskryeministri Bislimi, ku veçoi gjithashtu dhe arsimin publik në nivelin universitar falas dhe Pakot e Ringjalljes Ekonomike për përballimin e efekteve të pandemisë dhe atyre të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë.
Gjithashtu u fol dhe për përballimin e krizës energjetike si sfidë e përbashkët e vendeve në kontinentin evropian, ku u evidentua synimi për tranzicionin drejt energjisë së gjelbër dhe të ripërtëritshme. Sa i përket çështjes së dialogut, u theksua se si Qeveri mbesim të përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila sjell normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe ka në qendër njohjen reciproke.
Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi u shoqërua nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj. Republika Çeke është kryesuese e Presidencës së Këshillit të BE-së. /2LONLINE/