Në kuadër të javës së 5-të të garave në Superligën e Kosovës në futboll. FC Drita takohet me FC Llapi në Podujevë, e kryetrajneri i Dritës, Zekirija Ramadani e vlerësoi këtë ballafaqim si kryendeshja e kësaj xhiroje.
“Kemi përballë një skuadër që i ka objektivat e njëjta me skuadrën tonë. Gjithsesi, mendoj se jemi mirë në aspektin psikologjik, pasi xhiron e parë patëm një fitore ndaj Ferizajt dhe patëm paraqitje të mira në Evropë, ndërsa FC Llapi është në një krizë rezultatesh por shpresoj që ajo krizë të mos mbaroj me neve. Ne shkojmë për fitore, kam besim te futbollistët, shpresojmë që të gjejmë formacionin më në formë për të dhënë maksimumin dhe të kthehemi me fitore nga Podujeva”, ka thënë fillimisht Ramadani.
Sa i përket rezultateve në ndeshjet evropiane dhe rikthimin në Superligë, trajneri, Zekirija Ramadani theksoi se futbollistët profesionistë që ka FC Drita nuk e kanë problem motivimin.
“Unë mendoj që çelësi i suksesit është konkurrenca brenda grupit, sepse nëse njëri mungon apo lëndohet mund të zëvendësohet. Sa i përket motivimit, ata janë të gjithë futbollistë profesionistë dhe e din që Evropa mori fund, por ndeshja që zhvillohet nesër na dërgon në Evropë. Ndeshjet do t’i marrim një nga një, me shumë seriozitet por siç e ceka konkurrenca e shëndoshë brenda grupit është çelësi i gjithçkaje”, tha kryetrajneri Ramadani.
TAi u shpreh se është optimist dhe se fjala pesimist nuk ka të bëjë me të dhe klubin që ai drejton.
Ndeshja FC Llapi – FC DRITA zhvillohet nesër, e diel, ora 15:00 në Stadiumin “Zahir Pajaziti”, në Podujevë. /2LONLINE/