Në javën e 17-të takohen dy rivalët lokal, SC Gjilani – FC Drita. Në konferencë e FC Drita për media u deklaruan kryetrajneri, Zekrija Ramadani dhe futbollisti, Blend Baftiu, të cilët folën për derbin lokal të së dielës.
Kryetrajneri Ramadani tha se derbit luhen për t’u fituar dhe për këtë do të japin maksimumin.
“Shumë shpejt erdhi ky derbi dhe ne jemi profesionistë dhe mendoj se duhet të bëjmë më të mirën aty ku jemi. Gjilani ka një ekip të mirë dhe nuk është në pozitën tabelare me kualitetin që ka. Na pret një ndeshje mjaft e vështirë, pasi derbit luhen për t’u fituar dhe nesër të arrijmë deri te goli. Pa marrë parasysh pozitës tabelare kur bëhet fjalë për një derbi të zjarrtë, mund të vendos një detaj. Shpresojmë që ai detaj të vijë, të vendosim ne dhe të marrim objektivin e kësaj ndeshje”, theksoi trajneri Ramadani.
“Atmosfera në grup është e mirë dhe motivi është i lartë edhe te futbollistët”, tha Blend Baftiu.
“Nesër na pret një ndeshje shumë e rëndësishme dhe e vështirë, sepse derbi çdo herë ka qenë i tillë. Mirëpo, ne jemi shumë të motivuar, kemi punuar mjaft mirë dhe e jona është t’i kryejmë detyrat që na ka dhënë trajneri,të ‘luftojmë’ dhe kam besim të plotë që do ta vazhdojmë serinë e mirë dhe do të dalim me pikë të plota nga ky takim. Atmosferara është mjaft e mirë dhe motivi maksimal, e jona është vetëm t’i kryejmë detyrat e trajnerit”, potencoi Baftiu.
Optimist dhe me besim tek futbollistët u shpreh trajneri Ramadani, kurse foli edhe për mungesën e tifozëve.
“Kam besim dhe jam optimist, sepse po të mos kisha pasur besim në kualitetin e futbollistëve nuk do të isha i bindur se do japim maksimimin. Ne punojmë për të ardhur te maksimumi, nuk kemi një recetë të cilën e japim dhe themi me këtë fitojmë. Do i marrim të gjitha masat siç kemi punuar këto ditë, do mundohemi që ajo të zbatohet gjatë 90 minutave dhe në fund t’i gëzohemi fitores”, deklaroi trajneri ynë.
“Futbolli luhet për tifozë, normal që do jetë mungesë e madhe për ne, por ata kanë vendosur pa tifozë ashtu do të jetë. Ne jemi profesionistë dhe veprojmë sipas rregullave e jona është të japim më të mirën në fushë”, tha Ramadani.
Trajneri Zekirija Ramadani njoftoi se nuk ka asnjë mungesë për nesër, asnjë lëndim, asnjë suspendim, e kanë ekipin e kompletuar dhe shpreson që nesër të dal në fushë me 11-shen më të mirë.
Ndeshja derbi SC Gjilani – FC DRITA zhvillohet nesër, e dielë ora 13:00, te fusha sintetike (te rrethi). /2LONLINE/