Duke iu referuar deklaratave të Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Izmi Zeka ka thënë se Serbia ende po jeton me iluzione.
“Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq paska thënë sot se Kosovë është Jerusalemi jonë. Vërtetë është për të ardhur keq në çfarë gjendje është Serbia. Një pinjoll i Millosheviqit po harron se Kosova ka vite që është shtet dhe se propaganda e tij veç sa e helmon Beogradin zyrtar, por assesi Kosovën”, ka thënë Zeka, shkruan 2LONLINE.
Ai shtoi se sipas kësaj logjike Vraja, Nishi, Leskoci e shumë të tjera janë zemra e Kosovës. Kosova është e orientuar kah perëndimi dhe integrimi i saj në Evropën e qytetëruar.
“Serbia, besoj e në veçanti Ivica Daçiq ka kohë të merret me sukseset e Kosovës. Serbia i përket të kaluarës thënë më qartë historisë, prandaj edhe fjalori i tij i ngjanë kohës së Karagjorgjeviqëve. Duhet rikujtuar se politika e tillë veç sa nuk e ka afruar Serbinë në pashallëkun e Beogradit. Vërtet është për të ardhur keq kur i sheh fqinjët në çfarë pozita janë mbetur. Ndoshta integrimi i tyre ne Evrope sadopak i kthjellon”, ka thënë zëvendësministri Zeka.