Izmi Zeka, anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës njëherësh edhe zëvëndësministër në qeverinë Mustafa ka thënë se së pari duhet të zgjidhet qështja e demarkacionit dhe e Ushtrisë së Kosovës e pastaj të diskutohet për zgjedhje.
“Kohëve të fundit po diskutohet shumë rreth zgjedhjeve parlamentare gjë që mendoj se së pari duhet të zgjidhet çështja e demarkacionit dhe e Ushtrisë së Kosovës e pastaj të diskutohet për zgjedhje. Vlerësoj se ky koalicion është bërë me marrëveshje dhe si i tillë me një konsensus edhe politik e në veçanti me partnerët e koalicionit mund edhe të prishet”, ka deklaruar Zeka për Indeksonline.
Por për të ardh deri aty, sipas Zekës, duhet të analizohen shkaqet dhe performanca e qeverisë e pastaj të ndërmerren hapa konkret.
“PDK në çfarëdo situate është e gatshme të hyjë në zgjedhje nëse vërtetë shihet se është interes i qytetarëve të Kosovës por asnjëherë për interesa individuale të kujtdo qofshin ato. Ne jemi parti shtetformuese dhe si e tillë respektojmë partneritetin dhe marrëveshjet e bëra. Gjëra të momentit nuk preferojmë të bëjmë dhe ambiciet e njerëzve apo egot personale nuk e fusin PDK-në në lojëra emocionale që shkaktojnë diverzitet në politikat shtetërore dhe regres të vendit”, ka thënë ndër të tjera zv/ministri për Komunitete dhe Kthim nga PDK, Izmi Zeka.
Vetëm me konsensus politik, ai thotë se mund edhe të shkojmë në zgjedhje parlamentare e assesi pa një marrëveshje të tillë që e dëmton Kosovën dhe e futë në qorrsokak e pa zgjidhje.
BURIMI: Indeksonline