Anëtari i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Izmi Zeka ka thënë se zgjedhjet brenda partisë, që kanë filluar me zgjedhje në Rininë Demokratike, e që do të vazhdojnë me Gruan Demokratike dhe në fund do të mbahen zgjedhjet në Partine Demokratike, do ta nxjerrin këtë subjekt edhe më të fuqishëm dhe se, siç shprehet ai, edhe kjo dekadë do të jetë dekadë e PDK-së, si subjekt i vetëm që mund t’i çoj përpara çështjet madhore në interes të vendit.
“Vlerësoj se këto zgjedhje do të përcaktojnë dekadën e re të PDK-së, për të qeverisur Kosovën edhe disa mandate. Prandaj them se PDK-ja është çelësi i proceseve të mëdha dhe në këtë komporacion, Kosovës i nevojitet PDK-ja, për t’i çuar përpara proceset e mëdha”, ka thënë Zeka për Portalin 2LONLINE.
Zeka, që dikur drejtonte edhe Degën e këtij subjekti politik në Gjilan, flet edhe Degën në këtë komunë, duke thënë se në PDK-në e Gjilanit natyrshëm do të ketë reforma, pa qene të ndikuara nga askush.
“Jam ithtar i hapjes së partisë dhe kyçjen e kuadrove të cilat kanë vizion dhe qartësi për të ardhmen e PDK-së”, ka thënë tutje Zeka.
Ndërsa i pyetur për rolin që do ta ketë PDK-ja në Gjilan, ai ka thënë se beson që PDK-ja do ta luaj rolin opozitar si duhet dhe se do të jetë oponencë e fortë ndaj gjërave të cilat nuk bëhen në interes të qytetarëve gjilanas. Megjithatë Zeka thotë se në fund të fundit, është vullneti i strukturave të partisë që vendosin, pasi ata janë sovrani për të ardhmen e PDK-së dhe kreut të saj.