Izmi Zeka, zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se çdo vonesë, është e dëmshme, për ndërtimin e një shteti të ri. Ai ka kërkuar nga deputetët e parlamentit ta kalojnë sa më parë çështjen e demarkacionit e të kalojmë në etapa tjera të zhvillimit e të përparimit.
Çdo vonesë, është e dëmshme, për ndërtimin e një shteti të ri. Në këtë kuptim, edhe vonesa e aprovimit të ligjeve, sidomos të marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat janë ngritur edhe kushtëzime nga Bashkimi Europian dhe SHBA, siç është ai për Demarkacionin me Malin e Zi, janë të dëmshme!
Dyshimet e ngritura në lidhje me këtë Marrëveshje, që kryesisht kanë të bëjnë me pretendime territoresh, janë përpjekje për të promovuar patriotizëm të padobishëm, patriotizëm që nuk qon në forcimin e shtetit tonë, por në dobësimin e tij!
Armiqtë e shtetit tonë, dëshirojnë të vonohemi sa më shumë në procese!
Bëj thirrje deputetëve të parlamentit, që ta kalojnë sa më shpejt këtë çështje nga rendi i ditës, e të kalojmë në etapa tjera të zhvillimit e të përparimit!