Ministri i Mbrojtjes dhe zv. komandanti i FSK-së, morën pjesë në zbulimin e pllakës memoriale në nderim të viktimave të sulmit të 11 shtatorit 2001.
Sot, me rastin e zbulimit të pllakës memoriale „Kosovo Remembers“ (Kosova kujton) të ngritur në oborrin e Qeverisë së Kosovës, në shenjë nderimi të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, morën pjesë ministri dhe zëvendësministri i Mbrojtjes në detyrë, Rrustem Berisha dhe Kadri Kastrati, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, gjeneral Gëzim Hazrolli, gjeneral Fadil Hadërgjionaj, gjeneral Nazmi Brahimaj, gjeneral Xhevahir Geci, si dhe Njësia Ceremoniale e Gardës së Kosovës.
Pllakën memoriale e zbuluan kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj dhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Philip Kossnet, në të cilën është gdhendur logoja e Qeverisë së Kosovës dhe fjalët „Kosovo Remembers“ (Kosova kujton) si dhe data 11 shtator 2001.
Pas zbulimit të pllakës memoriale pjesëmarrësit bënë homazhe në shenjë nderimi dhe përkujtimit të viktimave në SHBA.