Zafir Berisha, ish ushtarë i UÇK-së dhe deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, paralajmëron se do të largohet nga lista e veteranëve të UÇK-së, nëse ato lista nuk pastrohen.
Berisha për gazetën “Bota sot” thotë se, nuk dëshiron të jetë së bashku në listë me ata që e kanë njollosur vlerën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai pohon se në ato lista gjenden dezertorët dhe bashkëpunëtorët e Serbisë.
Berisha pohon se, qysh në fillim kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi dhe Agim Çeku kanë bërë gabimin e madh kur kanë thënë se munden me aplikua të gjithë ata që mendojnë se kanë kontribuo në luftë, ndërsa ligjin e kanë bërë ashtu që 80 për qind të aplikuesve nuk i plotëson kushtet e përcaktuar me ligj.
“Po ashtu që sipas informatave që po dalin publikisht janë bë lëshime drastike tepër të rënda që njollosin vlerën e UÇK duke fut shumë njerëz që se meritojnë, dhe ne disa që kem qenë korrekt sipas ligjit jemi të atakuam pse nuk kemi veprua si disa tjerë që kanë bërë lëshime. Përndryshe nëse kështu vazhdon, unë nuk do të pranoj të jem në këtë listë të veteranëve me dezertorë e bashkëpunëtorë të Serbisë. Pra nuk do bashkohem me ta një listë, do të heqi dorë të qenit veteran i UÇK-së”, thotë Zafir Berisha.
Në fund, Berisha thekson se, Ligji i ka të metat e veta të cilat po keqpërdoren nga individ te papërgjegjshëm me lëshime që do ti kushtojnë kësaj shoqërie./Bota sot/