Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin në rastin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i shpallur fajtorë katër deputetët, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu, për gazin lotsjellës të hedhur në ambientet e Kuvendit.
Dënimet janë me kusht dhe se ato nuk do të ekzekutohen nëse gjatë dy viteve nuk kryejnë vepra të tjera penale
E kreu i deridjeshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i ka komentuar këto dënime, duke shkruar në profilin e tij në facebook se dënimet e shqiptuara me rastin e shpalljes së aktgjykimit ndaj deputetëve janë treguesi më i mirë për qëllimin politik të këtij rasti.
Gjykata Themelore në Prishtinë, e përfaqësuar nga Beqir Kalludra shprehi supremacionin juridik dhe politik ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe vullnetit të 205 mijë qytetarëve të cilët shprehën kundërshtimin e tyre në peticionin referendar ndaj marrëveshjeve që cenonin qenësinë e Republikës, për kundërshtimin e të cilave sot deputetët u shpallën fajtor.
Ky gjykim me këta gjyqtarë është mostra më kredibile që dëshmon diktatin politik ndaj sistemit gjyqësor.
Albini, Albulena, Donika dhe Fatoni janë përfaqësues të popullit në emër të të cilit sot u dënuan. Aktgjykimi si i tillë është akti më hipokrit që ka prodhuar ndonjë institucion vendor deri më tani dhe si i tillë është mjeti i fundit i persekutimit të kundërshtarëve politik.