Futbollisti i Gjilanit, Yll Ibrahimi është shfaqur optimist para mediave në prag të duelit ndaj Dukagjinit, ndërkohë që ka bërë thirrje për bashkëlojtarët e tij që të japin maksimumin në këtë përballje.
Ibrahimi e ka vlerësuar kundërshtarin e së shtunës, ndërkohë që ka potencuar që grupi është i gatshëm për të ruajtur vazhdimësinë e rezultateve pozitive.
“Ndeshje e rëndësishme dhe po aq edhe e fortë. Përkundër që kishim pak kohë në dispozicion, besojmë që jemi përgatitur mirë për këtë takim dhe shpresojmë që do të dalim për të dhënë maksimumin dhe për të marrë pikët e plota”, ka thënë Ibrahimi.
Duke folur për konkurrencën në ekip, e sidomos në pozicionin e tij, ai tha: “Konkurrenca e fortë i bën mirë gjithsecilit futbollist, pasi që japim maksimumin në seancat stërvitore ta bindim trajnerin që të na jap minutat të cilat i kërkojmë. Kjo situatë është fitimprurëse për gjithsecilin futbollist”.
Paraqitjet me Gjilanin, ftesa e Përfaqësueses?!
“Padyshim që paraqitjet me Gjilanin më kanë ndihmuar që të jem pjesë e Përfaqësueses U21 të Kosovës dhe këtë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Brenda skuadrës ka futbollist cilësor të cilët e meritojnë të jenë pse jo edhe në Përfaqësuesen A”, ka thënë lojtari i Gjilanit, yll Ibrahimi.
Ai u shpreh falënderues ndaj klubit dhe trajnerit për besimin e dhënë.
“Normalisht që jam falenderues. Këtu jam për të dhënë maksimumin dhe për ta shpërblyer besimin. Pjesë e falenderimeve padyshim që është edhe kryetrajneri (Ardian Nuhiu), i cili më kë mbështetur edhe në të kaluarën”, ka thënë futbollisti Yll ibrahimi.
Përndryshe, takimi ndërmjet Gjilanit dhe Dukagjinit zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 13:00 në stadiumin ndihmës në Gjilan. /2LONLINE/