YANNI: Brenda tërheqjes
Yanni është qytetar i botës. Ai beson në kredon “Një botë, një popull”. Dhe e jeton atë. Kompozitor, klaviaturist e producent i lindur në Greqi por që një pjesë të madhe e ka kaluar në SHBA ku ka diplomuar në psikologji.
Kombinues i sintave me orkestër të plotë—eksperiment që ka dalë të jetë i pëlqyeshëm në botë, tu i mundësu performime live në vende markante botërore para miliona admiruesve. Muzika e tij është fuzionim i instrumentistëve virtuozë nga kombësi të ndryshme duke e krijuar një harmonizim të bukur të diversitetit botëror.
“Within attraction” është kompozim që e paraqet qenien (njerëzore) në gjendjen e tërheqjes me qenie tjera në përgjithësi dhe në veçanti me një qenie tjetër.
VIDEO: Yanni – Within Attraction live 2009
Ritmi është 7/8 me shpërndarje 2+2+2+1, i njohur te ne, megjithëse ne kemi më shumë 2+1+2+2 (Martesa jonë, p.sh.). Këto ritme të ‘çrregullta’ jashtë 2/4, 3/4 (valsit) e 4/4 në botën perëndimore me gjasë janë edhe më interesante, megjithëse më vështirë të kapshme për veshin e pamësuar. Gjithsesi kompozimi është i thjeshtë dhe mund të ndiqet pavarësisht.
Është kompozim aktiv me thyerje të shpeshta të ritmit dhe me bas po ashtu aktiv.
Harmonitë janë krejt të thjeshta (akordet bazë janë të gjitha me vetëm tri tone). Kompozim i thjeshtë, i kapshëm, i lehtë për vesh, përkundër virtuozitetit që kërkohet në interpretim.
Melodia është ‘perëndimore’, ‘klasike’. Ka trilera aty-këtu, megjithatë, që i japin ngjyrë ‘lindore’
Një pjesë me instrument grek performohet nga vetë Yanni. Kaq shumë e përjeton sa që me dorën e djathtë e performon, e gishtat e të majtës i lëvizin vetë në ajër. Dhe përgjithësisht Yanni është i kapluar nga performimi i tërë orkestrës, fillim-e-mbarim.
Pason spontanisht një performansë e perkusioneve. Instrumentistët janë të veshur si për ‘aheng’, secili në stil të vetin. Timpanisti duket në kat me kravatë, por kravatën e ka të vizatuar (se normal i kish pengu në performim). Tashmë ‘brenda tërheqjes’ ka filluar. Në fund të kësaj pjese muzikantët vërehet se e shijuan dhe e dojnë e e respektojnë njëri tjetrin.
Muzika qetësohet. Kthehet në temën bazë.
Violinistja e parë i zgjidh flokët. Çohet në mënyrë spektakulare të performojë në këmbë. Një hyrje virtuoze në pjesën e ‘tërheqjes me një qenie tjetër’. Violinisti futet me vijë orientale, dukshëm ‘i impresionuar’. Pason një lojë midis dy violinave femërore e mashkullore e sfidave reciproke. Një vijë në dim mbase e tregon se femra ka nisë ‘të impresionohet’ po ashtu. Mashkulli e kulmon me vijë virtuoze. Femra befas e ndërron tonin e ‘bisedës’ me pizzicato. Mashkulli ia kthen ‘me të njëjtën monedhë’. Femra prapë në dim, ‘e impresionuar’. Vazhdohet me lojën garuese. Performuesit e shijojnë. Femra thehet mbrapa me trup, ndërsa mashkulli qëndron stabil ‘si burrë’. Melodia kulmon me vijë të përbashkët të tyre e mbështetur nga krejt orkestra.
Pasojnë duartrokitjet frenetike të publikut dhe respekti i ndërsjellë midis performuesve.
Vërehet se kjo melodi 6-minutëshe është kompozim i plotë dhe hapësira për improvizime është fare e vogël. Yanni duhet të ketë punuar veçanërisht me perkusionistët e violinistët kryesorë për t’ia përshtatur vijën natyrës e etnosit të tyre. Të njëjtin kompozim e kam parë të performuar ndryshe nga instrumentistë të tjerë—po ashtu përshtatur për natyrën e performuesve kryesorë:
/Ridvan BUNJAKU/
VIDEO: Yanni – Within Attraction (Live 1993)
VIDEO: Yanni – Within Attraction 1995