(2L ONLINE) – Drejtoria e Inspeksionit sot ka nisur inspektimin e bizneseve të cilat i kanë borxhe Komunës së Gjilanit për të parë nëse janë duke iu përgjigjur vërejtjes së Komunës për të shlyer obligimet ndaj Komunës. Me këtë rast Selver Xhelili, drejtor i Inspeksionit ka thënë se para dhjetë ditësh së bashku me drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik kanë hartuar planin operativ për të bërë mbledhjen e borxheve nga subjektet që i kanë borxh Komunës së Gjilanit.
“Bashkë me Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik kemi përgatitur planin operativ dhe të gjithë borxhlinjve u kemi dërguar nga një vërejtje që brenda 7 ditësh të nisin me pagesat e obligimeve ndaj Komunës. Sot jemi në inspektim dhe po shohim një trend pozitiv, dhe besojmë se me mirëkuptimin që kemi hasur tek bizneset, borxhet ndaj komunës do të zvogëlohen, edhe përkundër që ne nuk jemi të interesuar që të inkasojmë mjete duke i varfëruar qytetarët dhe bizneset tona. Borxhet e bizneseve janë kryesisht për tatime të ndryshme ndaj Komunës, ato duhet të paguhen sepse me parat e tyre ndikohet në zhvillimin dhe investimet kapitale”, ka thënë drejtori Xhelili.
Ai ka apeluar te bizneset por edhe te qytetarët që të bëjnë pagesat e obligimeve ndaj Komunës sepse gjendja në të cilën Gjilani është sot ne urojmë të mos përsëritet kurrë më gjatë historisë.
“Jemi të vendosur të punojmë në shërbim të zhvillimit dhe ndërtimit të Komunës së Gjilanit në partneritet me qytetarët dhe me bizneset në përgjithësi”, ka shtuar ai duke spikatur se përgjigja që është duke ardhur nga bizneset është në trendin pozitiv dhe ne i lusim që të gjithë të vazhdojnë në këtë mënyrë.
Pagesa e tatimeve ndaj Komunës, është zhvillimi dhe investimi publik në secilin lokalitet. /2L ONLINE/