Granit Xhaka dhe Milot Rashica së bashku me disa prej lojtarëve tjerë kanë vizituar varrin e ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri për të bërë homazhe.
Aty Granit Xhaka e çmoi lartë veprën e Vokrrit duke theksuar se në futbollin evropian, emri i Fadil Vokrrit është përmendur shumë, duke e cilësuar atë si figurën kryesore të futbollit kosovar.
“Po është kënaqësi me qenë këtu me Milotin me legjendën e Kosovës, Fadil Vokrrin dhe krenar që e kemi pasur një legjendë si ky. Shumë ka humb si person si imazh për Kosovën ka humbur shumë. Po u flit për shembull me trajnerin e kombëtares së Zvicrës me Vladimir Petkoviç ku e ka njoftur edhe Fadil Vokrrin, kemi folur, kemi pasur biseda për të. Ndihemi krenar ku një person si Vladimir Petkoviç e njeh një legjendë tonë”, u shpreh Xhaka.
Ndërkaq, Milot Rashica u shpreh se Vokrri ka qenë shembulli më i mirë për ta dhe se të gjitha sukseset e Kosovës i dedikohen pikërisht atij.
“Po normal të gjithë e dimë se sa i rëndësishëm ka qenë Fadili për ne. Jo vetëm për ne, për Federatën dhe për njerëzit në Kosovë, po në veçanti për ne si futbollistë, e kemi pasur një shembull që kemi mundur me ndjekë dhe na ka përkrahur jashtëzakonisht shumë dhe normalisht që për të gjithë ne ka qenë një humbje shumë e madhe për ne. Këto sukseset që i kemi mbërri me Kosovën normal që i dedikohen atij”, tha Rashica.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti bërë të ditur se shumë shpejt do të ngritet statuja e Fadil Vokrrit pikërisht në stadiumin e Prishtinës, stadium i cili gjithashtu mban emrin e tij.