Ish-futbollisti i Arsenalit, Ian Wright, pretendon se diçka ka ndodhur gjatë kohës së fundit me Xherdan Shaqirin, që ka bërë që ai të mos luajë në shumë ndeshje të Liverpoolit në muajt e fundit.
Më herët, Shaqiri e kishte dëshmuar aftësinë e tij për të ndikuar në ndeshje nga banka rezervë, veçanërisht në ndeshjen kundër Manchester Unitedit, në dhjetor, kur i kishte shënuar dy gola pasi kishte hyrë në ndeshje nga stoli.
Duke folur në BBC Radio 5 Live, Wright e vuri në dyshim arsyen prapa mungesës së Shaqirit dhe arsyes pse Kloppi po i preferon disa lojtarë të tjerë më shumë se futbollistët e tjerë.
“Çfarë ka ndodhur me Shaqirin? Çfarë po ndodh? Ju po thoni se forma e tij ka rënë… Kë e futi Kloppi në lojë para Shaqirit kundër Fulhamit? E kam parë që Kloppi i ka aktivizuar lojtarët e tjerë më shumë se Shaqirin. E kemi parë që Shaqiri e ka bërë diferencën më herët këtë sezon. Ju thoni se forma e tij ka rënë, por mua më duket se diçka tjetër ka ndodhur”, ka thene Wright.
Gjatë këtij sezoni, Shaqiri i ka bërë 26 paraqitje, gjatë të cilave i ka shënuar gjashtë gola dhe i asistuar tri të tjera.