Nga: Arsim Vranovci – /anëtar i shoqatës evropiane të avokatëve/
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin Nr.08/L-142 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. Përmes këtij ligji, pësojnë ndryshime/plotësime 5 ligje të tjera, përfshirë Ligjin për Tatimin në të Ardhura Personale dhe Ligjin e Punës që ndërlidhet me procesin e caktimit të pagës minimale.
Sa i përket tatimit në të ardhurat personale, për të ardhurat deri në shumën vjetore prej 3000 EUR, ngarkesa tatimore do të jetë 0%, gjë që i bie paga mujore mund të jetë deri në 250 Euro. Këtu duket se kemi një mos-përputhje mes këtij ligji të miratuar dhe Vendimit të Qeverisë për caktimin e pagës minimale prej 350 Euro. Ligji në aspektin të hierarkisë juridike është mbi vendimin, pra nuk është e qartë si mundet qeveria ta zbatojë një Vendim të tillë.
Caktimi i pagës minimale është kompetencë e Qeverisë, e cila ka vendosur për pagën minimale sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko Social, ndërsa ky ligji i ri e sjellë një risi, propozimin për përcaktimin e pagës minimale mund ta bëj edhe Ministri përgjegjës për Financa në mungesë të propozimit nga Këshilli Ekonomiko Social pas informimit të tij për këtë.
Rritja e pagës minimale nga ana e Qeverisë vjen si përgjigje kundrejt rritjes së kostos jetësore si pasojë e inflacionit në nivel global që nga pandemia dhe shumë shtete kanë ndërmarrë masa për adresimin e pasojave në ekonomi për nxitur rritjen ekonomike dhe lehtësimin e përballimit të kostos së jetës për qytetarët, sidomos ata që janë prekur më shumë nga rënia e fuqisë blerëse. Mbetemi me shpresë që të jetë e implementueshme si një stimulim ekonominë në përgjithësi dhe për tregun e punës në veçanti. /2LONLINE/