Refleksion socio-politik
Nexhat BUZUKU
(2LONLINE) – Pushteti i ri është marrje e përgjegjësive dhe frymë dinamike e punës mbi parime të demokracisë, ku nuk lejohet, madje ndëshkohet, cenimi i të drrejtës qytetare, shantazhimi apo kërcënimi për largim nga puna. Pushteti që nuk kuptohet si shërbim qytetar por si sundim, që në nisje, që në start do marr ndëshkimin i cili ndodh në kohën e duhur, në ate që pëercakton demokracia, në procesin e ardhshëm zgjedhor. Sepse vota është institucioni më suprem dhe më legjitim i demokracisë. Pushteti i ri në Kosovë, pra pushteti komunal, duhet të jetë i kujdesshëm në vendosjen e njerëzve me moral politik, me personalitet dhe të pranueshëm jo vetëm për partitë por për qytetarët, ndryshe minusat i shkojnë kryetarit dhe partisë fituese në cilëndo prej komunave
Epoka e miteve dhe e meritokracisë duket e perenduar. Zgjedhjet e fundit treguan se nuk ka më militantizëm partiak, ose edhe nëse kishte në sasi të vogël ai është në shuarje, por votë qytetare, e ndërtuar mbi oferta dhe bindje të bazuara mbi ndryshimin. Ndryshimi kristalizoi faktin se zgjedhjet nuk fitohen më në emër të këtij apo atij, në emër të së kaluarës, por me vizion, program dhe ofertë konkrete. Vota e balotazhit ishte më shumë se votë për ndryshim, më shumë se sa një ndryshim i thjeshtë. Me 1 dhjetor ka ndodhur ndryshim i madh sepse janë përmbysur bastionet, janë shuar votat e “sigurta” dhe ndikimet e individëve të fuqishëm në akëcilën komunë. Duke qenë se demokracia është ndryshim, ajo vërtet solli ndryshimin. Duke qenë se demokracia nuk është vetëm sistem shumëpartiak, por funksioni parësor dhe parimi themelor i saj është kontrollimi dhe rregullimi i marrëdhënive shoqërore, i institucioneve, i funksionalitetit të tyre mbi kontrollin qytetar, ndryshimi ndodhi dhe ky ndryshim ka marr legjitimitet publik. Ndryshimi i 1 dhjetorit që sollën zgjedhjet lokale për kryetarë komunash, promovoi dhe legjitimoi edhe një proces shumë të rëndësishëm, se vota nuk është më vetëm partiake, por votë qytetare, se me vota të një taborri a grupi militantësh nuk mund të fitosh zgjedhjet. Ndryshimi, qe në media u quajt me emrin e vërtet, ndryshim i madh qytetar, legjitimoi edhe një realitet të ri në skenën politike të vendit – elektorat i lëvizshëm, elektorat i ndryshueshëm që nuk lidhet as varet nga koncepti militant partiak.
Rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale kanë treguar se qytetarët nuk duan të votojnë më sipas të kaluarës patriotike, por sipas ofertës dhe bindjes që ata marrin nga kandidatët në garë. Madje, duke i lënë nën hije edhe partitë, e duke dhënë votën për kandidatin edhe të partisë tjetër që ka ofertën më të mirë, më të pranueshme, më të realizueshme.
Ndryshimi, prandaj, solli për herë të parë në Kosovë votën qytetare, votën evropiane, votën amerikane, mënyrën evro-amerikane të votimit për ndryshim të vazhdueshëm. Duke qenë se shoqëria është në një proces të përhershëm shume dinamik dhe pothuaj dramatik të ndryshimit, ketë ritëm zhvillimi, ecjen me kohën dhe dinamikën shoqërore mund ta ndjekin dhe mund t’i përgjigjen vetëm ndryshime që sjellin energji të reja.
Ndryshimi që ndodhi është një frymë e re qytetare që paralajmëroi kohë ndryshimesh në mentalitetet politike, në strukturat organizative partiake, në qasje të re ndaj politikës dhe politikbërjes. Kjo kohë ndryshimesh që ka niksur me 1 dhjetor, me votën qytetare, ka dhënë një sinjal dhe porosi shumë të qartë e të fuqishme – që liderët partiak e të politikës, nga ata në nivelin lokal e tutje në hierakinë politike, institucionale e qeverisëse, të mos e kuptojnë pozitën e të qenit kryetar komune, kryeministër, president, ministër, deputet…, si sundues, por si shërbyes.
Ndryshimi ka bërë me dije dhe ka dhënë një paralajmërim se të kuptuarit e politikës dhe të pushtetit vetëm si interes dhe jo si shërbim qytetar, të konceptuarit e politikës si luftë e pamëshirshme, siç thoshte mendimtari Nikolo Makiaveli, për pushtet duke përdor “gënjeshtrën, fuqinë dhe mashtrimin”, del i dështuar dhe kjo u vërtetua me 1 dhjetor.
Edhe këta që kanë ardhur në pushtet falë ndryshimit sigurisht e kanë kuptuar ose do ta kuptojnë se i njëjti ndryshim i prek dhe godet pas katër vitesh nëse nuk do ta realizojnë praktikisht porosinë e këtij ndryshimi. Ky ndryshim i ndodhur nuk është i përfunduar. Ai është proces. Do ndodhë në vazhdimësi.
Në këtë vend që synon të bëhet pjesë e BE-së ndryshimi duhet të gjejë zbatim praktik në jetën e përditshme, ndërsa duhet të fuqizohet edhe më tej ndarja e pushteteve. Politika nuk guxon të përzihet në gjyqësi, siç jemi mësuar të kërcënoheni në momentin e ardhjes në pushtet për t’i futur nën kontroll institucionet dhe shërbimet jetike të qytetarit dhe vendit.
Ndryshimet nuk kanë sjellur vetëm rrotullim apo zëvendësim pushtetesh, bie njëri vjen tjetri, heq njërin sill tjetrin, largo një strukturë pushteti dhe instalo një tjetër. Jo. Pushteti i ri është marrje e përgjegjësive dhe frymë dinamike e punës mbi parime të demokracisë, ku nuk lejohet, madje ndëshkohet, cenimi i të drrejtës qytetare, shantazhimi apo kërcënimi për largim nga puna. Pushteti që nuk kuptohet si shërbim qytetar por si sundim, që në nisje, që në start do marr ndëshkimin i cili ndodh në kohën e duhur, në ate që pëercakton demokracia, në procesin e ardhshëm zgjedhor. Sepse vota është institucioni më suprem dhe më legjitim i demokracisë. Pushteti i ri në Kosovë, pra pushteti komunal, duhet të jetë i kujdesshëm në vendosjen e njerëzve me moral politik, me personalitet dhe të pranueshëm jo vetëm për partitë por për qytetarët, ndryshe minusat i shkojnë kryetarit dhe partisë fituese në cilëndo prej komunave./2lonline/