Karota zë një vend të veçantë në ushqimin e njerëzve. Për shkak të tipareve të shumta shëruese, njohës të mirë të saj thonë se ajo përfaqëson një “ilaç” të vërtetë. Është e ditur se ndihmon në më shumë se 30 sëmundje dhe se është zgjedhje e duhur si masë për ruajtjen e shëndetit.
Ngjyra e saj e portokalltë është produkt i veprimit të karotenës, përbërës që te asnjë perime tjetër nuk gjendet në këtë masë. Karoteni është i rëndësishëm sepse nga ai rrjedh vitamina A, përgjegjëse për shëndetin e lëkurës sidomos asaj të thatë, thonjve dhe flokëve.
Ekspertët thonë se karota e freskët është zgjidhja e duhur për një lëkurë të shëndetshme, nëse në menu gjendet të paktën pesë herë në javë.
Karota është e pasur me vitaminat PP, D, E, H, sidomos me vitaminat B1, B2, B5 dhe B6 dhe përmban shumë pak vitaminë C. Ajo është gjithashtu e pasur me minerale, kalium, kalcium, jod, zink, kobalt, si dhe me pektine dhe vajra eterike, për shkak të të cilave u rekomandohet veçanërisht fëmijëve për të nxitur zhvillimin fizik, forcimin e eshtrave dhe për të rritur rezistencën ndaj infeksioneve te të rinjtë, të moshuarit dhe gratë shtatzëna.