Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj para Kuvendit të Kosovës e ka nisur duke dhënë porosi për vajzat dhe gratë anembanë vendit.
Ajo ka thënë se gjithçka është e mundur kur ato ëndërrojnë dhe punojnë për realizimin e ëndrrave të tyre.
“Vullneti juaj qytetarë të nderuar i shprehur më 14 shkurt dhe vendimi i sotëm i Kuvendit më veshin me shumë përgjegjësi. Dashuria për Kosovën dhe bashkëvendësit tanë ka qenë motivimi më i madh gjatë jetës politike. Sot është dita e Kosovës, është dita juaj, ku vullneti juaj po plotësohet dhe institucionet po konstituohen plotësisht”, ka deklaruar Osmani, duke thënë se po e përmbyllet parathënia e historisë së re të Kosovës.
“Sot është dita kur ne dëshmojmë edhe një herë se me urti dhe vendosmëri dimë t’i përballojmë sfidat dhe dimë t’u japim kuptim. Sot po e përmbyllim parathënien e historisë së re të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se Kosova me zgjedhjen për herë të dytë të një gruaje në postin e presidentit, po jep shembull për përfaqësimin e gruas në institucionet shtetërore.
“Në ditë si kjo gëzohem shumë për faktin për shembullin që po jep republika jonë në përfaqësimin e gruas në nivel institucional, qoftë në presidencë apo në kuvend. Kuvend është model për t’u ndjekur edhe nga demokracitë edhe më të konsoliduara. Institucionet e vendit tonë po reflektojnë gjithnjë e më shumë po reflektojnë strukturën e shoqërisë sonë dhe historinë tonë të larmishme, por kemi edhe shumë punë për të bërë”, tha Osmani para deputetëve.
Përndryshe, Vjosa Osmani është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës.
Ajo ka arritur bëhet presidente pas raundit të tretë të votimit, duke marrë 71 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kundërkandidat i Vjosa Osmanit për president ka qenë Nasuf Bejta.