E urojnë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj në këtë pozitë

E urojnë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj në këtë pozitë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka uruar presidenten e sapozgjedhur të Kosovës, Vjosa Osmanin. Bashkë me Osmanin, Konsett ka përgëzuar edhe deputetët që morën pjesë në votim.

Kosnett e ka uruar presidenten Osmani, ndërsa edhe në këtë urim ka përmendur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin aleate të Kosovës.

“Përgëzime Vjosa Osmanit për zgjedhjen  Presidente, dhe deputetëve që e kryen detyrën e tyre në Kuvend. SHBA-ja mbetet e përkushtuar për partneritetin e ngushtë me Republikën e Kosovës për ta ndërtuar një të ardhmen e paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Kosnett.

***

Bashkimi Evropian ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj në këtë pozitë.

“BE-ja mirëpret që të punojë ngushtë me presidenten Osmani dhe me institucioniet e sapo konsoliduara të Kosovës. Kosova tani duhet të rinisë reformat e lidhura me BE-në dhe në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në urimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.

***

I ngarkuari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka uruar Vjosa Osmanin për zgjedhjen presidente e Kosovës.

Nëpërmjet Twitter Lajçak është shprehur i gatshëm të punojë me Osmanin duke i uruar sukses në detyrën e re.

“Urime Vjosa Osmani për zgjedhjen tuaj presidente e Kosovës. Ju uroj suksese në detyrën tuaj të  rëndësishme dhe mezi prej të punojmë së bashku”, shkroi ai.

Ambasadori italian në Kosovë Nicola Orlando ka uruar Vjosa Osmanin për postin e presidentes së vendit.

Përmes një postimi në Twitter, Orlando tha se Italia është e përkushtuar të punojë ngushtë për të forcuar më tej partneritetin mes vendeve tona dhe për të mbështetur rrugën Euro-Atlantike të Kosovës.

“Urime Vjosa Osmani Sadriut për zgjedhjen e saj si Presidente e Republikës së Kosovës dhe popullit të Kosovës.

Italia është e përkushtuar të punojë ngushtë për të forcuar më tej partneritetin mes vendeve tona dhe për të mbështetur rrugën Euro-Atlantike të Kosovës”, ka shkruar Orlando.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka uruar postin presidentes së sapozgjedhur, Vjosa Osmanit, derisa ka falënderuar edhe deputetët që e votuan atë.

Kurti, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në ‘Twitter’, ka thënë se Qeveria Kurti tashmë ka themeluar të gjitha institucionet, teksa ka paralajmëruar për një “epokë të re”.

“Falënderoj të gjithë deputet që votuan për zgjedhjen e presidentes së re. Ne tashmë kemi themeluar institucionet dhe jemi future në një epokë të re qëndrueshmërie dhe prosperiteti të popullit të Kosovës”, shkruan Kurti.

“Urime Vjosa Osmanit postin e presidentit”, shkruan Kurti.

***

Presidenti Ilir Meta ka uruar homologen e tij të zgjedhur sot në Kosovës, Vjosa Osmani.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Meta shprehet se “Presidentja Osmani, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, do t’i shërbejë me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë unitetit mes të gjithë qytetarëve, frymës së konsensusit, dialogut, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe marrëdhënieve të shkëlqyera vëllazërore mes dy vendeve tona”.

Mesazhi i kreut të shtetit për Vjosa Osmanin

“Urimet më të sinqerta Vjosa Osmanit me rastin e zgjedhjes në detyrën tepër të rëndësishme të Presidentes së Republikës së Kosovës.

Jam i bindur se Presidentja Osmani, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, do t’i shërbejë me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë unitetit mes të gjithë qytetarëve, frymës së konsensusit, dialogut, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe marrëdhënieve të shkëlqyera vëllazërore mes dy vendeve tona.

Si President i Republikës së Shqipërisë shpreh gatishmërinë time të plotë për bashkëpunim të ngushtë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore, në interes të qytetarëve tanë dhe përshpejtimit të proceseve të integrimit në Bashkimin Europian, të Shqipërisë dhe të Kosovës”.

***

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, në Republikën e Maqedonisë, Ziadin Sela ka uruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Kuvendi i Kosovës sapo zgjodhi Presidenten e Republikës së Kosovës Zonjën Vjosa Osmani duke kurrorizuar me sukses konsolidimin dhe ndërtimin e instititucioneve më të rëndësishme të Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani edhe në të kaluarën ka dëshmuar kapacitete te larta politike, intelektuale dhe shtetndërtuese, dhe si rrjedhojë e kontributit politik qytetarët e Kosovës e përkrahën masovikisht atë dhe listën e saj që përfaqësonte.

Urojmë që Vjosa Osmani, si Presidente e Kosovës ta ushtrojë këtë pozitë në mënyrën më të mirë të mundshme në shërbim të unitetit politik dhe krijimit të konsenzusit politik saherë që do të jetë i nevojshëm ai për interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Përgëzime edhe shumicës së deputetëve të LDK, që dëshmuan konstruktivitet dhe maturi politike  duke i ndihmuar procesit të zgjedhjes së Presidentes se Kosovës dhe duke pamundësuar një  krizë të re politike

Në emrin tim dhe të Aleancës për Shqiptarët, urimet më të sinqerta Presidentes se Kosovës Zonjës Vjosa Osmanit, dhe gjithë qytetarëve te Kosovës për zgjedhjen e Presidentes së Kosovës!

***

Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka uruar Vjosa Osmanin për zgjedhjen në pozitën e presidentes së vendit. Nëpërmjet llogarisë së saj në Facebook, Jahjaga uron që Osmani “të jetë simbol i unitetit dhe garantuese e funksionimit kushtetues, ligjor dhe demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës”

“Uroj Presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën Vjosa Osmani-Sadriu për zgjedhjen e saj si kryetare e Republikës. Kosova ka në krye të shtetit sërish një presidente grua- dëshmia më e mirë për rrugën e trasuar nga gjenerata të tëra grash që në role të ndryshme e kanë mundësuar që kjo arritje tashme të shndërrohet në normë”, shkroi Jahjaga në Facebook.

“Si Presidentja e parë e Kosovës, uroj që Presidentja Osmani të jetë simbol i unitetit dhe garantuese e funksionimit kushtetues, ligjor dhe demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës. Uroj që udhëheqja e saj të karakterizohet nga maturia duke e mbajtur në mendje dhe në zemër interesin e çdo qytetari të Kosovës dhe të drejtën e tij/saj për jetë të dinjitetshme”.

“Republika e Kosovës është institucion i ndërtuar mbi sakrificen e gjeneratave për ta bërë Kosovën vend të mundësive të barabarta, në partneritet dhe miqësi të fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dy aleanca me të cilat shoqëria jonë ndan vlerat dhe idealet për liri dhe demokraci”.

“Njëkohësisht, përgëzoj klasën politike të Kosovës për maturinë e treguar në tejkalimin e ngërrçeve politike dhe konstruktivitetin e dëshmuar në konsolidimin e institucioneve. Tani është koha që të gjitha institucionet që dolën nga zgjedhjet e 14 Shkurtit t’i përvishen punës. Kosova nuk ka më kohë për të humbur! Urime dhe ju priftë e mbara!”

***

KOMENTE